I kërkoj ndjesë lexuesve të krishterë që kjo gazetë nuk i uroi gëzuar Krishtlindjet në 25 dhjetorin e shkuar – kur për arsye teknike u bë një përzgjedhje e artikujve më domethënës të vitit 2011 – dhe kërkoj ndjesë që të dielën e shkuar nuk i kemi uruar gëzuar Pashkën miqve katolikë.

Përfitojmë nga rasti sot për t'i uruar Festën e Ringjalljes së Jezu Krishtit miqve ortodoksë, qoftë sepse Pashka përfaqëson ngjarjen kryesore të Kishës Ortodokse, qoftë sepse komuniteti ortodoks meriton një vëmendje të veçantë gjatë njëqindvjeçarit të pavarësisë së Shqipërisë, për kontributin e tij të çmuar në lëvizjen e Rilindjes, por edhe për pozicionin delikat të tij kulturor brenda popullsisë shqiptare.

Për të gjithë të krishterët Pashka është “festa e festave”, por në vendet ortodokse ajo vishet me një solemnitet madhështor dhe me një atmosferë festimi e ngjashme me atë që përjetohet në vendet katolike në periudhën e Krishtlindjes. Në fakt, Ringjallja e Jezu Krishtit nuk është konsideruar  nga ortodoksët si një dogmë e thjeshtë, por është thelbi i jetës shpirtërore së besimtarëve.

Kisha Ortodokse beson se Krishti pati vuajtur me të vërtetë si njeri dhe, si i tillë, vdiq dhe u ringjall: prandaj, cikli i vdekjes dhe i ringjalljes nuk përfshin vetëm Birin e Zotit, por çdo qenie njerëzore. Jo rastësisht, ikonografia ortodokse përfaqëson Krishtin që shkel portat e ferrit dhe risjell në jetë Adamin dhe Evën, simbole të njerëzimit. Kështu, për Krishtërimin ortodoks, vdekja është një fenomen fizik që nuk përfaqëson fatin përfundimtar të njeriut. Sipas Shën Jovan Krisostomo, “Ne vdesim, por nuk mbetemi në vdekje. Nëse pas vdekjes njeriu merr përsëri jetën dhe madje, i është dhënë një jetë më e mirë, atëherë kjo nuk është më vdekje, por një gjumë”.

Të krishterët nuk u bënë të tillë sepse ishin më shumë të moralshëm apo më shumë të devotshëmsesa paganët. U bënë sepse Krishtërimi i liroi nga frika e vdekjes. Himni ortodoks i Pashkës, drejtuar Krishtit, përsërit shumë herë: “Me vdekjen Tënde ke mposhtur vdekjen”.

Ky është mesazhi i madh i Kishës Ortodokse: terrori primordial që rrethonte jetën e njeriut u zëvendësua nga besimi në ringjallje. Duke iu referuar martirëve të krishterë, që përballeshin me vdekjen në qetësi absolute, Shën Athanasi nënvizonte se “Njerëzit, përpara se të besojnë në Krisht, shohin vdekjen si të tmerrshme; ndërsa kur kalojnë tek besimi i dalin përballë me kurajë, duke u bërë dëshmitarë të Ringjalljes”.

Për të njëjtën arsye, në ikonat ortodokse figura e Krishtit në kryq nuk shfaqet tragjike, por përfaqëson një njeri paqësisht në gjumë.

Pra Pashka është mbi të gjitha një përvjetor që feston jetën dhe triumfin e saj mbi vdekjen. Ja përse simboli i kësaj ngjarjeje janë vezët, emblema të pjellorisë dhe të ciklit të jetës. Tradita e vezëve të kuqe ka origjinë të lashtë dhe është dokumentuar në epokën e Perandorisë romake, kur fshatarët paganë fusnin nën tokë një vezë të lyer me të kuqe për të marrë me të mirë perënditë për bollëk të të korrave.

Krishtërimi përvetësoi këtë zakon pagan, duke i dhënë atij një vlerë shpirtërore dhe duke identifikuar në bojën e kuqe gjakun e Krishtit. Simbol i fitores mbi vdekjen është edhe drita e qirinjve që besimtarët i mbajnë të ndezur gjatë natës së Pashkës.

Duke pasur parasysh vlerën e pamasë njerëzore dhe shpirtërore të “festës së festave”, në shekujt e parë të Krishtërimit Ringjallja kremtohej çdo të dielë. Në vitin 325 pas Krishtit, me rastin e Këshillit të Nicea, Kisha e Krishterë (e cila nuk ishte akoma e ndarë në Kishë Katolike dhe Kishë Ortodokse, terma të hyra pas skizmës së 1054) vendosi për të festuar Pashkën vetëm një herë në vit, të dielën mbas hënës së parë të plotë të pranverës.

Pashka ortodokse dhe ajo katolike nuk përkojnë sepse Kisha Ortodokse ndjek “kalendarin julian”, bazuar mbi ciklin e stinëve dhe i shpallur nga Jul Cesari në vitin 46 para Krishtit, ndërsa Kisha Katolike ka adoptuar “kalendarin gregorian”, i dekretuar nga papa Gregorio XIII në vitin 1582. Por dallimi midis datave dhe kalendarëve, midis tradicionalizmit ortodoks dhe progresizmit katolik, nuk është një arsye e mirë për të mjegulluar vlerën universale që ka Pashka për të gjithë të krishterët.

Kisha Ortodokse shqiptare nën sulm prej një shekulli?

Në të gjithë vendet me histori dhe mazhorancë të krishterë, Pashka kalon si një festë paqeje, por nuk është kështu në vendet ku të krishterët përbëjnë minorancën e popullsisë: në Egjipt dhe në Nigeri komunitetet krishtere vuajnë atentate të përgjakshme, ndërsa në Shqipëri është gjithmonë dikush i cili instrumentalizon festën për të bërë propagandë anti-ortodokse dhe anti-greke, siç ka bërë të dielën e shkuar një prift nacionalist.

Të gjithë janë gjithmonë gati për të denoncuar “lidhjet me Greqinë” të Kishës Ortodokse shqiptare, ndërsa askush nuk i ka kontestuar kurrë katolikëve varësinë e tyre nga Roma, askush nuk ka protestuar kurrë se përse “Kishë Katolike” do të thotë “Kishë universale”, pra e kundërta e “Kishës kombëtare”. Nga ana tjetër, Kisha Ortodokse e Shqipërisë është autoqefale dhe e pavarur, e kështu ka ardhur koha t’i japim fund refrenit të mërzitshëm të “greqizmit”.

E vërteta është se mbi komunitetin ortodoks peshon një “faj” i konsideruar i tmerrshëm nga shqiptarët e tjerë: ndajnë besimin e grekëve dhe të sllavëve, armiq historikë të Shqipërisë. Prandaj, dyshimi i filogreqizmit dhe madje edhe “i tradhtisë” kanë qenë përdorur historikisht në kohëra krizash ndërkombëtare, debatesh të brendshme dhe rigjallërimesh nacionaliste.

Që nga koha e Rilindjes, ortodoksëve shqiptarë iu desh të bënin përpjekje mbinjerëzore për t’u konsideruar shqiptarë ashtu si gjithë të tjerët. Për t'iu treguar të denjë patriotëve myslimanë dhe katolikë, shumë intelektualë ortodoksë u anëtarësuan në lëvizjen anglo-amerikane që mbështeste një Shqipëri të pavarur në funksion antirus, antisllav dhe antigrek.

Rasti i vetëm në botë, këta intelektualë zgjodhën të jetonin si minorancë e krishterë në një vend me mazhorancë muslimane dhe, për t'u pranuar nga bashkëpatriotët, ata bënë atë që paraardhësit e tyre nuk e kishin bërë në pesë shekujt e pushtimit turk: braktisën besimin ortodoks dhe hynë në Kishat Protestante Evangjeliste, si për shembull Gjerasim Qiriazi, motrat e tij Sevasti dhe Parashqevi, Petro Nini Luarasi, Kostandin Kristoforidhi, Kristo Dako, etj.

Ortodoksia shqiptare pësoi një tjetër goditje të rëndë kur u detyrua të përballej me betejën rraskapitëse për të fituar pavarësinë nga Patriarkana e Fanarit e Kostandinopojës. Sipas sistemit osman, “millet” ortodoks ishte i komanduar nga Patriarku grek i Kostandinopojës: dhe prandaj është logjike që komuniteti ortodoks i Shqipërisë ka qenë besnik ndaj Fanarit dhe u përpoq të mbahej kulturalisht i dallueshëm nga fqinjët grekë.

Në fakt qenë nacionalistët ortodoksë të diasporës amerikane (dhe muslimanë të mbetur në atdhe) që vendosën krijimin e një Kishe Ortodokse shqiptare autoqefale, për të larguar bashkëbesimtarët e tyre nga influenca greke. Megjithatë, sipas rregullit kishtar, pavarësia nga Kostandinopoja i përket vetëm vendeve ku ortodoksët janë mazhoranca e popullsisë. Por Shqipërisë i mungonte ky kusht dhe kërkesa dukej absurde.

Më 1919, Fan Noli themeloi në Boston Kishën Ortodokse autoqefale shqiptare, por asnjë ipeshkëv nuk donte ta shuguronte peshkop. Atëherë Noli kërkoi mbështetjen e qeverisë shqiptare, që miratoi autoqefalinë në funksion politik antigrek. Në 1922, Kongresi i Beratit shpalli pavarësinë e Kishës Ortodokse shqiptare, por shumica e besimtarëve ortodoksë e dinte se vetëm një sinod peshkopësh mund të shpallte autoqefalinë, ndërsa Kongresi i Beratit ishte një mbledhje e laikëve ortodoksë dhe myslimanë.

 

Përfitojmë nga rasti sot për t'i uruar Festën e Ringjalljes së Jezu Krishtit miqve ortodoksë, qoftë sepse Pashka përfaqëson ngjarjen kryesore të Kishës Ortodokse, qoftë sepse komuniteti ortodoks meriton një vëmendje të veçantë gjatë njëqindvjeçarit të pavarësisë së Shqipërisë, për kontributin e tij të çmuar në lëvizjen e Rilindjes, por edhe për pozicionin delikat të tij kulturor brenda popullsisë Shqiptare

Në 1928, ambasada angleze në Shqipëri raportonte se: “Shumica dërrmuese e ortodoksëve dëshiron të qëndrojë me Patriarkanën, por nacionalistët kanë nisur një fushatë të dhunshme në favor të pavarësisë kishtare: një minorancë e zhurmshme i kundërvihet një mazhorance të heshtur”.

Ortodoksët shqiptarë ishin kështu të ndarë në dy parti: “nacionalistët”, që donin autoqefalinë, dhe “patriarkalët”, besnikë ndaj Fanarit. Si mbështetës i “nacionalistëve”, mbreti Zog imponoi një tjetër shpallje të autoqefalisë ortodokse, por kjo iniciativë e monarkut musliman qe konsideruar skizmatike nga Kishat Ortodokse ballkanike dhe sidomos nga Patriarkana, e cila njohu autoqefalinë e Kishës Ortodokse shqiptare vetëm në 1937.

E lodhur prej dhjetëra vitesh nga kriza e brendshme, komuniteti ortodoks arriti i rraskapitur në impakt me komunizmin: në Shqipërinë jugore latifondiste, idealet e barazisë pushtuan lehtë popullatat ortodokse rurale, të shtypura për shekuj nga feudalët osmanë, ndërsa Enver Hoxha i besoi elitave ortodokse tërë sektorin arsimor, akademik, artistik dhe gjuhësor, por i mbajti larg ata nga levat e vërteta të pushtetit.

Ortodoksët shqiptarë në rrezik zhdukje?

Sot komuniteti ortodoks duket shumë i brishtë dhe në rënie numerike. Në 1937, ortodoksët shqiptarë ishin 212.233, e barabartë me 20,4% të popullsisë së vendit. Në pritje të rezultateve të Censusit, për momentin ekzistojnë vetëm sondazhet e kryera në 2005 dhe 2006 nga zyra amerikane “Globic LLC” në zonat e Tiranës e të Durrësit.

Nga të intervistuarit janë deklaruar ortodoksë 13,3-14,7% kundër 68,6-76,8% të myslimanëve dhe 6,3-13,2% të katolikëve. Në krahasim me vitin 1937, ortodoksët janë zvogëluar në mënyrë drastike dhe myslimanët janë rritur në numër.

Fenomeni ka një logjikë nëse konsiderohet një faktor demografik – gjatë komunizmit, myslimanët e Veriut kanë mbajtur traditën e familjeve të mëdha në numër, ndërsa ortodoksët, pothuajse të gjithë të urbanizuar, ishin stabilizuar me dy fëmijë për çift – dhe një faktor kulturor, domethënë tendenca e ortodoksëve për të përqafuar ateizmin marksist dhe, mbas vitit 1990, për të zgjedhur kulte të tjera (Kisha Evangjeliste, sekte krishtere amerikane, Dëshmitarët e Jehovait, etj.).

Pas komunizmit, Kisha Ortodokse shqiptare hasi në vështirësi të mëdha organizative. E mbetur me njëzet anëtarë, kleri vendas iu drejtua Greqisë, e cila dërgoi mitropolitin Anastasios Yannoulatos. Peshkopi grek u prit me indiferencë nga ortodoksët, ndërsa politikanë dhe intelektualë (sidomos myslimanë) e konsideruan si një ndërhyrje helenike në çështjet shqiptare.

Të njëjtat sfera politiko-intelektuale kërcënojnë për vite se Ortodoksia shqiptare nuk do të ketë të ardhme nëse do të mbetet në duart e “uzurpatorëve grekë”. Fushata të vazhdueshme denigruese janë duke bindur komunitetin ortodoks se feja i tij është simbol dhe instrument i greqizimit, me rezultatin e një largimi progresiv – jo vetëm fetar, por edhe kulturor – nga Kisha Ortodokse.

Pasojë e kësaj brishtësie të identitetit kanë qenë konvertimet e shumta të ortodoksëve në besime të tjera fetare. Pas vitit 1990, Ortodoksia identifikohej me Greqinë “e keqe”, ndërsa kush dëshironte të integrohej me botën perëndimore “e mirë” përqafonte Katolicizmin dhe Kishat e ndryshme Protestante dhe sektet amerikane.

Ismail Kadare paraqiti mitin e një Shqipërie “që në origjine katolike” (edhe përpara vitit 1054, kur Katolicizmi nuk ekzistonte!) dhe deklaroi se një e treta e Byrosë Politike komuniste ishte e përbërë nga vlleh e maqedonas të cilët, duke qenë të huaj, dhunonin shqiptarët.

Romancieri, kështu, ka lënë të kuptohet se të gjithë ortodoksët janë arumunë dhe jo rastësisht, në 1997-2005, kur prania ortodokse ishte shumë e dukshme në qeveritë socialiste, u përhap termi përçmues “lobi vlleh” dhe në internet qarkullonin materiale anti-ortodokse.

Përballë këtyre presioneve, ortodoksët përpiqen të duken “më shqiptarë se të tjerët” dhe preferojnë të lënë në plan të dytë përkatësinë e tyre fetare. Janë shumë të shpeshta martesat mikse me myslimanët – sidomos nga ana e vajzave ortodokse, sipas traditës islamike – dhe prandaj fëmijët e këtyre bashkimeve bëhen myslimanë si etërit ose rriten pa fe, por sidoqoftë dalin nga komuniteti ortodoks.

Ajo që të vjen keq është mungesa e vlerësimit të meritave të Ortodoksisë. Gjatë Rilindjes, burra dhe gra ortodoksë hapën shkolla shqiptare për fëmijët e krishterë dhe myslimanë, formuan mësuesit dhe përkthyen tekstet shkollore dhe liturgjike, duke rrezikuar dhe duke sakrifikuar jetën. Këto përpjekje, që hyjnë ndër sipërmarrjet më fisnike të historisë shqiptare, janë shpërblyer nga fakti se kultura shqiptare i ka shumë borxh komunitetit ortodoks.

Dhe në njëzet vitet e fundit Kisha Ortodokse ka themeluar shkolla, institute profesionale, universitete, qendra mjekësore dhe ka promovuar aktivitete artizanale dhe programe zhvillimi rural, pa llogaritur shpërndarjen e ushqimeve dhe ilaçeve për të varfrit dhe mbështetjen për 33.000 refugjatë kosovarë në vitin 1999.

Për të gjithë këto do të duhej të mendonin ortodoksët – të cilët duket se nuk e vënë re se kultura e tyre është në rrezik zhdukje – por edhe shqiptarët e tjerë, të cilët do të duhej ta mbyllnin me “grekofobinë” dhe “vllahofobinë”, në mënyrë që askush të mos mendojë se, në të vërtetë, e kanë me ortodoksët për arsye fetare. Feja do të duhej të ishte burim paqeje, jo i tensioneve.