Nga BUJAR QESJA
28 dhjetori i vitit 2023, krahas vigjiljes së vitit të ri 2024, është edhe ditë e shënuar, për një njeri pikant të shoqërisë. Është dita e lindjes e Sulejmanit të Madhërishëm të notit shqiptar, me emrin Sul Poda. “Tek Stela”, që trajtohet ndryshe edhe si lokali i notit, po organizohet drekë festive. Është ditë e veçantë. Është ditë për t’u mbajtur mënd. Është dita e lindjes së atij njeriu, që i ka dhënë notit 50 vite nga jeta e tij dhe do t’i japë akoma edhe më shumë. Bëhet fjalë për Sul Podën.
Bëjmë shumë krahasime për individë të veçantë të notit, si “tarzani”, “ujku” i detit, “luani”, “i forti” i ujit, “i frikshmi” e ku ta di tjetër. Por në rastin e Sul Podës, atij i mjafton të thuash vetëm kaq: Skllavi i ujit, rob i ujit, i gjithpushtetëshmi i ujit, i përjetshmi i ujit, pjesë e botës së ujit, e mund të vazhdojmë gjatë me epitetin i apo e ujit. “Tek Stela” mblidhen ajka e notit. Takon historia me të mirët e saj. Takon tradita me vazhdimësinë, për të gëzuar e festuar. Është dita e lindjes së një babaxhani dhe masoviku të thekur, që në sfondin e vitit të ri, e nxit më shumë entuziasmin.
Më vjen keq që nuk ndodhem aty, tek ty Sul Poda. Të të përqafoj, e të uroj jetë sa më të gjatë dhe me shëndet të fortë si burrat e dheut. Më mori në telefon herët në mëngjes, një skllav tjetër i ujit, Petrit Guma.
-Kur të vi të të marr, që të jemi në orën 13.00 “Tek Stela”? Sul Poda na pret!
Dhe i thashë Tit Gumës hallin tim pse mungoj. I kërkova të falur edhe Sul Podës pse nuk ndodhem.
-Or mik! Or vëlla! Kështu nisa t’i shpjegohem Sulës. Ma bë hallall o i mrekullueshmi ynë, që nuk ndodhem sot aty pranë teje. Arsyeja shëndetësore është plotësisht e justifikuar. Të uroj Sula jonë gjithçka të mirë!
Sul Poda 50 vite e trajtoi notin cilësisht. Si notar më parë dhe si trajner më pas. Dhe kur e mbylli karierën në moshën 78 vjeçare, mori “çertifikatën” për t’u antarësuar si skllav i përjetshëm i ujit, si rob i bindur i këtij uji me kripë dhe pa kripë, ku Sula i mbush basenet me djersën e tij.
Në çdo bisedë të befason. Ka diçka të veçantë ku Sul Poda, që po i kushtohem në këtë shkrim. Magji thua të jetë? Rënë nga qielli mund të jetë? Shprehem kështu se brenda natyrës së tij, lulëzojnë disa cilësi aq joshëse, aq të preferuara, aq të pranueshme, aq të kërkuara nga cilido që flet me të.
E qeshura e tij, e falura e tij, shakatë e tij, puna e tij, pasioni i tij, mjeshtëria dhe përshtatshmëria e veçantë e tij, janë që të gjitha të tij dhe nuk i gjen kërkund tjetër.
Kur fola sot në telefon me të, për ti shpjeguar arsyjen pse nuk ndodhem në 80-të vjetorin e lindjes, m’u shpreh:
-Ka rënë masivisht një virozë problematike. Ka temperaturë të lartë dhe njerëzia është e alarmuar. Sapo vura re që kishte shtrirë duart drejt meje dhe temperatura po më ngrihej, e gjeta klinikën dhe mjekun ku të këshillohesha. Mora biçikletën dhe vrap u hodha në pishinë. Dhe uji më pranoi, pasi terapinë më të mirë aty e gjeta. Ka mjek dhe klinikë më të mirë se notimi? Ky ka qenë dermani im i kahershëm, apo i kahkohshëm.
Dhe si zakonisht bisedat i mbyll, me atë buzeqeshje që i shkon vetëm atij, buzëqeshje e cila shkon lart, derisa prek edhe qiellin. Sul Poda mbush 80-të vite jetë. Me siguri kështu si po shkojnë punët, shekulli është punë e mbaruar. Ka shumë forcë, ka shumë vullnet, ka shumë energji, ka shumë optimizëm, të cilat nuk i ka konsumuar plotësisht. Sula është skllav i ujit pa afat stinor. Ujin e ka në xhep si në dimër apo në verë, si në vjeshtë apo në pranverë.
Ky njeri, që po e trajtojmë si i përjetshmi i ujit, i ka merituar të gjitha. Diploma, kupa, çertifikata, fleta nderi dhe lavdërimi. Ka marrë titullin “Mjeshtër i Madh”, Medalja e artë e notit, çmimin e karrierës etj. Por mbi të gjitha Sul Poda, Sulejmani i Madhërishëm i notit shqiptar, ka merituar dashurinë e familjes, respektin e miqve dhe të shokëve, të cilët e duan fort po aq sa edhe ai. Në çdo tryezë që organizohet, është e pamundur që të mungoj ky kalorës i madh i notit. Dhe as ka ndërmënd ta ndalë notimin, që për të është oksigjeni, vetë fryma e tij.
Sa gëzim sot “Tek Stela”! Familja dhe miqtë janë në kënaqësi. Sul Poda nuk e fsheh të veçantën, e kësaj dite të veçantë. Është 80-të vjetori i lindjes. Kuotë lakmuese e jetës. Edhe më lakmuese, do të bëhet frymëmarrja e mëtejshme. Deri tek të 100-tat janë edhe 20 vite. Dhe më pas do të mendojmë, se çfarë urimi do ti bëjmë. Ky njeri nuk ndalet. Uji i detit apo i pishinave, sikur është krijuar për Sul Podën, të pamposhturin e ujit, vullnetplotin për t’i copëtuar valët dhe për t’i shkumbëzuar deri në breg.
Sul Poda është në 80-të vjetorin e lindjes, por edhe në meritë të plotë të këtyre fjalëve. Nuk është shaka të jesh Sulejmani i Madhërishëm i notit. Një kemi. Dhe ky është Sulejman Poda. “Tek Stela” kërcehet, vallëzohet, dëfrehet, këndohet dhe bëhen shaka. Miqtë nxitojnë të jenë prezentë. Fundi i vitit 2023. Sula, i përjetshmi ynë i notit, ka ditën e bekuar të lindjes. Festa e tij është edhe e jona, pasi është një shok dhe një mik, që ia vlen t’i përkustohesh përgjithçka.
Sul Poda në 80-të vjetorin e lindjes. Gëzuar profesor Sula! Gëzuar gjyshi! Gëzuar bashkshorti më i përkushtuar! Gëzuar shok dhe mik!
Gëzuar, paç shëndet dhe shumë kënaqësi Sul Poda, skllavi i përjetshëm i ujit!
Bujar Qesja
Durrës: 28 dhjetor 2023