TIRANE – Organizata “Global Financial Integrity” deklaron se raporti sipas të cilit elita e korruptuar ka nxjerrë më shumë se 1.3 miliard dollarë nga Shqipëria duhet të shërbejë si një këmbanë alarmi për qeverinë në Tiranë. 

Clark Gascoigne, zëdhënës i këtij grupimi me qendër në Washington deklaroi për agjencinë e lajmeve Balkaninsight, se qeveria shqiptare duhet të reagojë për të mos lejuar nxjerrjen e parave në ato vende që konsiderohen parajsa për taksat pasi ekzistojnë një sërë hapash që vendi mund të ndërmarrë. 

“Qeveria shqiptare mund të kërkojë që të gjithë bankat në Shqipëri të ofrojnë informacione mbi poseduesit për çdo llogari të hapur në institucionin e tyre financiar.”- theksoi Gascoigne. 

Shpesh bankat nuk e dinë se kush kontrollon llogaritë në institucionin e tyre, ata mund të kenë emrin e një kompanie anonime, por nuk mund të dinë se kush është personi aktual që kontrollon kompaninë. 

GFI bëri të ditur pak ditë më parë se në pesë vitet e fundit kanë dalë nga Shqipëria, 1.3 miliard dollarë, shumë kjo që është e barabartë me një të tretën e buxhetit vjetor të vendit.

Sipas zëdhënësit të këtij grupimi 60 përqind e kësaj shume vjen nga evazioni fiskal, 35 përqind nga aktiviteti kriminal dhe 5 përqind nga korrupsioni. 

GFI iu referua në përfundimet e saj të dhënave të marra nga Banka Botërore dhe Fondi Monetar Ndërkombëtar, dhe sipas GFI vetëm në vitin 2008 nga vendi dolën 405 milion dollarë.

Gascoigne thotë gjithashtu se Shqipëria nuk është i vetmi vend që duhet të kritikohet, pasi dhe vende të tjera si SHBA apo Britania e madhe apo parajsa fiskale si Zvicra, Qipro, Hong Kongu dhe Singapori përballen me të njëjtin fenomen.