Gianni De Biasi ka vendosur të largohet nga Azerbajxhani pas përfundimit të fushatës eliminatore të “Euro 2024”. 

Pas tri vitesh në krye të Azerbajxhanit, me një rrugë me suksese të moderuara, ish-trajneri i Shqipërisë, ka vendosur të japë dorëheqjen.

“Para se të filloj të flas, dua të njoftoj se kam marrë vendimin që të mos qëndroj më në Federatë, edhe pse besoj se kam bërë një punë të shkëlqyer vitin e kaluar. Skuadra ka treguar rritje të jashtëzakonshme dhe ka arritur rezultate historike për Azerbajxhanin. Ne morën 7 pikë në një grup me 5 ekipe, në kualifkueset e Europianit “Gjermani 2024”. Gjithashtu kemi arritur pesë fitore radhazi gjatë drejtimit tim, diçka që nuk kishte ndodhur kurrë më parë. 

Ne demonstruam kundër skuadrave të mëdha si Belgjika në ndeshjen e parë, Austrisë dhe Suedisë se jemi në rrugën e duhur, se kemi ndërtuar një grup interesant lojtarësh, por për sa më përket mua, do të ndalem këtu”, u shpreh ish-trajnerit i Shqipërisë, që shkruajti historinë me kuqezinjtë duke i dërguar për herë të parë në një kampionat Europian.

Nga korriku i vitit 2020 deri në këtë fund nëntori, De Biasi e ka drejtuar Azerbajxhani në 39 ndeshje me një mesatare prej 0.97 pikë për lojë.