Angli, 7 maj 2014 – Dy gola nga debutuesi James Wilson, ndërsa shënoi edhe Van Persie në ndeshjen ndaj Hull City, që mund të jetë e fundit në karrierën e Ryan Giggs me fanellën e Manchester United. Emocionet për largimin e Vidiç dhe të tërheqjes së mundshme të Giggs si lojtar u venitën në këtë takim nga incidenti i minutave të fundit me mesfushorin e skuadrës kundërshtare, David Meyler që shkeli brutalisht mbi këmbën e majtë të Adnan Januzaj.
Kjo është hera e dytë që futbollisti me origjinë nga Kosova bëhet viktimë e një incidenti të tillë, pas penalizimit të lojtarit të Fulhamit, Sascha Riether, në nëntor për të njëjtën arsye. Mjaft i nervozuar për këtë episod reagoi Giggs, i cili përveçse lojtar, është edhe trajner i përkohshëm i Djajve të Kuq.
“Duhet të jetë një shaka besoj. Nuk e pashë incidentin, por kam parë këmbën e tij, ka një të çarë nga gjuri deri në kavilje. Eshtë hera e dytë që i ndodh diçka e tillë brenda këtij sezoni. Eshtë e tmerrshme, ajo që i ka ndodhur në këmbë. Januzaj duhet mbrojtur sepse është një lojtar briliant. Autoritetet duhet të ndërhyjnë”,- tha Giggs.
Veprimi i dhunshëm dhe mesa duket i qëllimshëm i Meyler i ka shpëtuar syve të arbitrit Craig Pawson, por Federata ka të drejtë të veprojë e ta ndëshkojë, duke e vendosur në pikëpyetje praninë e mesfushorit në finalen e FA Cup ndaj Arsenalit.
/agjencia e lajmeve "Dyrrah"/





