Në stadiumin “Olimpico” të Romës Juventus ka fituar Kupën e Italisë për herën e dymbëdhjetë. Askush nuk e ka fituar kaq shumë këtë trofe dhe askush nuk ka arritur ta fitojë për tre vite radhazi, siç ka bërë “Zonja”. Fitorja 2-0 e arritur kundër Lazio-s e ka futur përsëri klubin bardhezi në historinë e futbollit italian, me një rekord, atë të tri sukseseve radhazi në Kupën e Italisë, që ka pak mundësi të arrihet, apo të kalohet, nga ndonjë ekip tjetër. Por fitorja e së mërkurës ka vendosur edhe një rekord tjetër, pak më të çuditshëm: portieri titullar i Juventus në Kupën e Italisë, edhe për shkak të rotacionit, është Norberto Neto, i cili ka bërë një tjetër paraqitje të mirë kundër bardhekaltërve.
Duke qenë ai në fushë, Buffon e ka ndjekur ndeshjen nga stoli dhe nuk ka pasur mundësinë ta ngrejë Kupën në qiell, por këtu qëndron edhe rekordi i ri i portierit bardhezi: Buffon ka fituar tri Kupa të Italisë radhazi pa luajtur as edhe një minutë. Herën e fundit që Buffon ka zbritur në fushë në këtë kompeticion ka qenë dhjetori i 2012-ës në një ndeshje të vlefshme për çerekfinalet kundër Cagliari-t. Nga ai takim Gigi ka qëndruar gjithmonë në stol duke i lënë vendin portierit të dytë.