Franca është rikthyer në stërvitje pas suksesit 5-2 ndaj Islandës, duke hedhur pas krahëve euforinë. Gjermania është skuadra e radhës dhe ndoshta rivali i vërtetë në këtë europian për blutë, të cilët kanë kujtime të hidhura nga kampionët e botës. Gjithsesi, nga qëndra stërvitore e Clairefontaine, francezët duken të çtensionuar edhe pse e pranojnë që ndaj Gjermanisë do të jetë testi i vërtetë i këtij europiani. Në këtë mënyrë e mendon edhe  Olivier Giroud, i cili thekson se ndaj skuadrës së Low do të jetë një tjetër histori pasi Franca kërkon hakmarrje edhe për eliminimin nga Botërori dy vjet më parë. “Ndaj Gjermanisë është një ndeshje ndryshe sepse ata janë kampionët e botës dhe kanë treguar se janë një skuadër që nuk munden lehtë. Ne kërkojmë të marrim hak për atë humbje në çerekfinalen e botërorit. I mundëm në miqësoren e muajit nëntor por e përsëris, kjo është një ndeshje që nuk ka precedentë”.

Stadiumi “Velodrome” do të presë heronjtë vendas pas sfidës ndaj Shqipërisë dhe Giroud e pranon se mbështetja e tifozëve do të jetë shumë e rëndësishme. “Jemi me fat që do ta luajmë gjysmëfinalen përballë publikut tonë dhe jam shumë krenar për atë që kemi arritur deri tani. Shpresoj t’i gëzojmë mbështetësit tanë edhe në këtë takim”. Olivier Giroud ishte një nga lojtarët më të mirë në fushë kundër Islandës ku shënoi golin e parë dhe të 5 në fitoren 5-2.