Ulet numri i familjeve të ngujuara në qarkun e Durrësit. Nga 110 familje të ngujuara në vitin 2011, shifra këtë vit është reduktuar në 90. Statistikat janë bërë të ditura nga kreu i shoqatës mbarëkombëtare të pajtimit të gjaqeve, Gjin Marku. Familjet e ngujuara po largohen nga zonat veriore dhe janë vendosur në dy qytetet kryesore, Durrës dhe Tiranë duke sjellë me vete edhe problematikën e madhe që mbart ky realitet i dhimbshëm. Pjesa më e madhe e familjeve të ngujuara në qarkun e Durrësit janë vendosur nëpër komuna të ndryshme.

Megjithëse me kanun femrat nuk kanë arsye të ngujohen, sipas kreut të shoqatës mbarëkombëtare të pajtimit të gjaqeve nuk janë të pakta rastet kur ngujohen edhe gratë e familjes dhe fëmijët e vegjël. Fenomeni që vite më parë ka qenë i përqendruar vetëm në zonat veriore tashmë është zhvendosur dhe në qendrat e mëdha urbane. Thuajse në të gjitha rastet, kur regjistrohen konflikte që shoqërohen me viktima, policia merr në ruajtje familjen e autorit apo autorëve të krimit, për të parandaluar përshkallëzimin e dhunës dhe vrasjeve të mëtejshme të nxitura nga fenomeni i gjakmarrjes.   

Fenomeni i gjakmarrjes

Sipas Gjin Markut familje të ngujuara në të gjithë vendin tonë janë mbi 1300. Kjo shifër varion nga muaji në muaj, e ndikuar në rastet e reja që mund të krijohen apo nga kompromiset e arritura nga familjet që pranojnë të falin gjakun. Kreu i Shoqatës Mbarëkombëtare të Pajtimit të Gjaqeve bën të ditur se edhe në rang vendi fenomeni i gjakmarrjes ka ardhur duke u fashitur disi gjatë 2012.

Nga 1670 familje të ngujuara në fund të vitit 2011 rreth 250 prej tyre janë pajtuar, gjë që ka ndikuar në uljen e numrit. Falja e gjakut arrihet në përgjithësi me ndërmjetësimin e shoqatës dhe vullnetin e mirë të dëshmuar nga familjet e përfshira në konflikt. Marku ishte i pranishëm javën e kaluar në komunën Xhafzotaj, në Durrës ku ndoqi nga afër pajtimin e dy familjeve të një fisi.

“Po bëhet çmos të lirohen gratë dhe fëmijët dhe një pjesë e tyre po lirohen. Aty ku familjet kanë dhënë fjalën se nuk kanë për të marrë gjak mbi gratë apo fëmijët, këta të fundit kanë nisur të lëvizin lirshëm. Numri i fëmijëve që kanë qenë të ngujuar ka zbritur nga 900 në 700. Pjesa më e madhe e të ngujuarve janë në Tiranë dhe në Shqipërinë e mesme, por ka edhe në jug të vendit. 300 familje të ngujuara janë në qarkun e Durrësit dhe të Tiranës. Vrasjet nuk janë më të përhapura në zonat veriore. Më të përhapura janë në Shqipërinë e mesme, ku kanë ndodhur vrasjet më tragjike”,- tha Marku.

Falja e gjakut

“Paçi faqen e bardhë”. Këto fjalë janë thënë teksa janë shtrënguar duart e dy kushërinjve të parë të fisit Marku nga Kukësi, banorë në Xhafzotaj të Durrësit. Dy familjet ishin përfshirë në gjakmarrje rreth një muaj më parë. Në këtë fshat, ekspedita e Komitetit Mbarëkombëtar të Pajtimit të Gjaqeve bëri pajtimin mes dy familjeve në hasmëri brenda lidhjeve të gjakut.

Hasmëria mes familjes së Xhelil Markut dhe Musa Sali Markut kishte lindur disa javë më parë pas një plagosjeje. Familjet i shtrinë dorën e pajtimit njëra tjetrës dhe falenderuan Komitetin e Pajtimit Mbarëkombëtar si dhe misionarët e zonës për insistimin që të uleshin në tryezën e bashkëbisedimit dhe të pajtimit duke eleminuar kështu gjakderdhjen e mëtejshme. Gjin Marku në fjalën e tij në këtë ceremoni pajtimi theksoi se falja e pajtimi janë jo vetëm traditë shqiptare, por dhe një vlerë që duhet të ruhet nga brezat e ardhshëm.

Një shtrëngim duarsh, fillimisht në banesën e autorit Gazmend Marku, i dha fund gjakmarrjes mes familjeve të të njëjtit fis. Konflikti mes dy familjeve Marku, i ka fillesat e tij, në muajin prill të këtij viti, kur në fshatin Fermë, Xhafzotaj Gazment Marku, në gjendje të dehur qëlloi me çifte mbi kushëririn e tij Musa Markun, duke e lënë të plagosur.  

Famirësisht Musai, i cili mbeti i plagosur arriti të shpëtonte ndërsa familjet u futën në konflikt me njëra-tjetrën, pavarësisht se dy personat e përfshirë në konflikt ishin kushërinj të parë, baballarët e tyre janë vëllezër. Që nga ajo kohë burrat e familjes Marku, të ardhur nga Kukësi në vitet 2000, siç ndodh rëndom pas konflikteve me armë zjarri, i druheshin ndonjë gjakmarrjeje të mundshme mes palëve.

Ndaj drejtuesit e shoqatës së pajtimit të gjaqeve me kryetar Gjin Marku, të shoqëruar nga familjarë të fisit kanë ndërhyrë në shuarjen e konfliktit, duke vizituar fillimisht shtëpinë e familjes së Musa Markut. Ata kanë shtrënguar duart mes njeri-tjetrit, duke i dhënë fund hasmërisë si dhe konflikteve që mund të shkaktoheshin mes dy familjeve. Më pas, ashtu siç e do zakoni, ka qenë familja e Musa Markut që ka vizituar shtëpinë e familjes së Gazmentit, të cilës i fali gjakun duke i dhënë fund konfliktit të lindur në muajin prill.

Komiteti i Pajtimit Mbarëkombëtar ka nisur të funksionojë shumë vite më parë dhe e ka shtrirë aktivitetin e tij në të gjitha fshatrat, komunat dhe bashkitë e vendit.  

Vizitë në familjen Vata

Shoqata Mbarëkombëtare e Pajtimit të Gjaqeve ka vizituar edhe familjen e Muhamet Vatës, që dy javë më parë humbi vajzën 18 vjeçare, Aishen. Sipas Gjin Markut, Muhamet Vata nuk ka pranuar të flasë për gjakmarrje, pasi sipas tij nuk ka asnjë konflikt të hapur me familjen e Shaban Norjas. Përfaqësuesit e  shoqatës kanë menduar të kryejnë homazhe edhe tek varri ku prehet prej disa ditësh, Aishja, por familja e kësaj të fundit nuk ka lejuar të kryhet një gjë e tillë. Që prej ditës që Aishja është ndarë nga kjo jetë ata kanë pritur e përcjellë vizita nga të gjithë të afërmit dhe për asnjë moment nuk i kanë mbyllur dyert e zisë. “Ne shkuam për t’i ngushëlluar. Fakti që familja nuk ka kryer ritet mortore ndaj vajzës së tyre, na detyroi të shkonim në këtë shtëpi, pasi një veprim i tillë ka lënë vend për hipoteza të ndryshme në mbarë opinionin publik.  Ne sot shkuam për t’i respektuar, biseduam për gjithçka, sepse problemi mund të qëndrojë i fshehur dhe i trembemi ndonjë hakmarrjeje të mundshme. Sot për sot familja Vata nuk do të presë për ngushëllim asnjë prej fëmijëve të Shaban Norjes”,- tha Gjin Marku, kryetar i shoqatës mbarëkombëtare të pajtimit të gjaqeve.