Në Norvegji shprehja “stadiumin e ka mbuluar bora” merr një kuptim krejt ndryshe nga ai që jemi mësuar të dëgjojmë apo shohim zakonisht. Rifillimi i kampionatit në prill nuk ka garantuar që kushtet atmosferike të ishin ideale. Këtë e ka kuptuar më së miri skuadra e Tromsdalen e cila përballej në sfidën e parë të saj me Asane dhe stadiumi gjendej i mbuluar nën një shtresë shumë të trashë dëbore.
Punonjësit e stadiumit kanë punuar dy ditë me radhë me lopatë dhe kanë arritur të shtyjnë borën jashtë fushës, aq sa për të lejuar zhvillimin e ndeshjes. Por kjo krijoi një pamje mjaft të veçantë, pasi fusha rrethohej nga një mur i lartë dëbore që arrinte deri në 6 metër në vende të veçanta.