Nga BUJAR QESJA

Shkrime të tilla të vendosin në siklet, pasi duhet të mundesh nostalgjinë tënde, për t’i hapur rrugë nostalgjisë së fuqishme të historisë së Durrësit. Në këtë rast, kemi të bëjmë me një gjashtëshe sportive. Por mund të ishin edhe gjashtëshe, që mund të ingranoheshin edhe në sektorë të tjerë dhe malli dhe kujtesa do të vinin njëlloj të fuqishme. Është një pjesë e historisë sonë qytetare. Është një pjesë e atyre arritjeve, që sigurisht meriton të ndalemi dhe të ulemi në prehërin e një kënaqësie nderuese.

E kisha ndarë me kohë këtë foto, pra e kisha veçuar, për t’ia gjetur kohën dhe rastin. E ngacmoja veten që ta shikoja herë pas here. Dhe në çdo shikim, përmallohesha. Janë gjashtë njerëz që u bashkuan si me dorë, për të dhënë të parën përvojë në krijimin e klasave sportive. Dhe fuqia e kahasimit është e dukshme, pasi në këtë kohën tonë të tanishme, po i rikthehemi kësaj praktike të vitit 1972, vit që është ndalur kjo pamje.

50 vite më parë. Ishte vendosur të krijoheshin klasat sportive, si bërthama e parë lëvizëse e zhvillimit cilësor të sporteve. Por më parë duhej kulturë sportive, masivizim të talenteve dhe më pas seleksionim drejt përfaqësimit me autoritet në degë të veçanta. Bërthama e parë e klasave sportive, u krijua në shkollën “Nako Spiru” dhe me tre specialitete: atletikë, lojra me dorë dhe gjimnastikë. Më pas transferohen në shkollën e mesme përkatëse të mjeshtrisë sportive, që u ngrit në nivel kombëtar.

Por këta të gjashtë, në një pamje të rrallë mbeten në atë memorie të padobësuar, për të treguar se si filluan të organizohen në hapat e para klasat sportive në Durrës, efekti dobiprurës i të cilave u vu re shumë shpejt. Të kthehemi tek foto.

Idriz Çinari. Në Durrës janë të një mëndje, që Idriz Çinari sakrifikoi veten për sportin. Pasioni i tij për atletikën, nuk kishte cak. Pasi mbaroi Institutin e lartë të Kulturës Fizike e Sporteve “Vojo Kushi”, Çinari do të kryente atë punë kolosale që nuk ka gjasa të harrohet. Dy ishin dhe mbeten të pakundërshtueshëm në atë që bënë dhe në atë që dhanë në atletikën e zhvilluar durrsake: Idriz Çinari dhe Rifat Kazazi. Katërshja Ruf Kazazi, Indriz Çinari, Petraq Ikonomi dhe Rexhep Bagoj mbaruan në një kohë shkollën e lartë dhe e ndihmuan Durrësin në sporte, gjërat që tashmë njihen. Ikonomi dha shumë në futboll, Bagoj në sportet e rënda, Rufi në hedhjet dhe Çinari u bë kurora e atletikës durrsake.

Ai u “martua” me atletikën. Familja e tij, u bënë atletët dhe atletet që mbushnin masivisht ekipet. Dhe këtu shkëlqente gjithnjë ai, i thjeshti dhe i afti ai, mentari ai, masoviku dhe organizatori ai, gjithnjë i shkëlqyeri Idriz Çinari. Në pamjen që publikojmë, Idrizi është në pozicionin e nismëtarit të organizimit të klasave sportive të atletikës. Thithej elementi, testohej dhe planifikohej të ushtronte klasat sportive në specialitetin që dëshironte.

Ibrahim Kurtbegovi. Aty është 23 vjeç. Sapo mbaroi studimet në fakultetin e matematik fizikës, emërohet në gjimnazin e famshëm të Durrësit “Naim Frashëri”. Por krijimi i një shkolle të re, kërkonte kuadro të aftë dhe me natyrë sportive. Kurtbegovi ishte shumë i njohur si basketbollist. Nga “Lokomotiva”, kaloi në Tiranë me “Studentin” dhe “Dinamon” dhe rikthehet sërish në vendlindje.E vazhdoi basketbollin edhe për disa vite të tjera, duke lënë të gjallë në kujtesë portretin e një lojtari të formuar, pjestarë i ekipit kombëtar, por duke plotësuar jo pak edhe performancën e një kuadri të thekur të matematikës. Basketbolli e lidhi Ibrahimin dhe me një yll të topkoshit të femrave, përmetaren Aleksandra Bregu. Kjo dyshe- Ibrahim dhe Aleksandra Kurtbegovi, krijoi atë çift unikal të basketbollit cilësor të Durrësit.

Suzana Katro. Pasi mbaroi fakultetin e gjuhë letërisë, Zana caktohet të jap mësim në klasat sportive. Letërsia e saj është e artë dhe sot e kësaj dite, e kujtojnë këtë mësuese të lidhur ngushtësisht me nxënësit, duke e kthyer lëndën e saj në shumë të preferuar. Zana Katro është edhe krijuse. Poezitë dhe proza e saj, janë të ndjera dhe botoheshin në shtypin e kohës. Pas klasave sportive, ajo mbetet nga kuadrot kryesore dhe me shumë reputacion, në shkollën e mesme të mjeshtrisë sportive “Bernardina Qerraxhia”. Jeton në Itali dhe gjithnjë komunikon me bashkëqytetarët e saj, për të mos harruar ato vite të arta të ushtrimit të profesionit të mësueses.

Lindita Laçi. Gjimnaste e njohur e “Lokomotivës”. E shkolluar në fazën e lartë të studimeve për sporte. Në këto hapa të para të krijimit të klasave sportive, është në degën e saj gjimnastikë. Nga ajo kanë dalë shumë gjimnaste të njohura, duke e vendosur “Lokomotivën” në nderin e e gjimnastikës shqiptare. Gjena Verdha dhe sidomos Mimoza Risto, janë modele zhvillimi të gjimnastikës. Edhe Lindita jeton jashtë atdheut.

Hektor Milla jepte lëndën e lojrave, por e ushtronte basketbollin edhe në praktikë. Sportëdashësit e njohin me nofkën “Tori i vogël”, pasi “Tori i madh” ishte emri i njohur i basketbollit durrsak Salvator Sotiri. Pasionant dhe Hektor Milla, mbetet me shumë përkushtime ndaj basketbollit. Si pasojë e një sëmundje të rëndë, ka vite që është larguar nga jeta.

E lamë për në fund drejtorin, nismëtarin e krijimit të klasave sportive Kristaq Miço. Figurë e kompletuar sportive. Me emrin e Kristaq Miços, janë lidhura kapitujt reformues dhe zhvillues të sporteve në Durrës. Është drejtori i parë i shkollës sportive, për të kaluar më pas në mjeshtrinë sportive, shkollë kombëtare, Kryetar i Komitetit të Kulturës Fizike e Sporteve në Durrës, për të kryer detyrën e rëndësishme të Kryetarit të Federatës Shqiptare të Futbollit në harkun kohor 1982-1988.

Kristaq Miço, “Mjeshtër i Madh” është pa dashim nismëtari i hapjes së klasave sportive. Fillimisht u përuruan dy klasa dhe të gjashtë në këtë pamje, janë mësuesit e parë. Në shkollën “Nako Spiru”, klasat sportive u zgjeruan dhe qendruan për disa vite. Më pas në vitin 1976, gjithnjë sipas Ibrahim Kurtbegovit, është këmbëngulja e jashtëzakonshme e Kristaq Miços, që të hapet një shkollë e mesme e mjeshtërisë sportive, gjë që u bë realitet. Pas Mustafa Çelkupës në krye të lëvizjes fizkultuore sportive të rrethit të Durrësit, Kristaq Miço mbetet nga reformatorët më aktivë në mbështetje të zhvillimit cilësor të sporteve. Merita e tij këtu mbetet e padiskutueshme.

Shkolla e mesme e meshtërisë sportive “Bernardina Qerrxhia”, u rrit dhe u zgjerua me degë të tjera sporti, deri në atë të boksit, peshëngritjes, futbollit etj. Por klasat e para sportive të vitit 1972, kanë për të mbetur kujtesa e patjetërsuar e atyre njerëzve mjaft të përgatitur në mësuesi dhe si trajnerë. Koha tregoi, sa të domosdoshme ishte krijimi i tyre. Janë me dhjetra e dhjetra talente, kampionë, rekordmenë që kanë dalë nga kjo shkollë me fillim vitin 1972. Kujtojmë që disa prej tyre janë Ymer Pampuri, Luiza Gega, Kreshnik Qato, Mirela Manjani, Marinda Preka e shumë të tjerë sportistë të nivelit ndërkombëtarë.

Kristaq Miço, Idriz Çinari, Ibrahim Kurtbegovi, Suzana Katro, Lindita Laçi dhe Hektor Milla, janë gjashtë të parët, që ndërtuan mësimdhënien në klasat sportive që u piknisën në vitin 1972, 50 vite të shkuara. Një histori e largët që nuk harrohet.

Durrës: 10 korrik 2022.

Në pamje, nga e djathta: Ibrahim Kurtbegovi, Lindita Laçi, Kristaq Miço, Suzana Katro, Idriz Çinari dhe Hektor Milla.Foto e vitit 1972