Futbollisti shqiptar, Jurgen Gjasula rrezikon ta pësojë me një pezullim afatgjatë për shkak të nervozizmit të shfaqur në ndeshjen e fundit në Bundesligë. 30-vjeçari që militon me skuadrën e Greuther Furth kaloi limitin e “fair play” në sfidën e zhvilluar kundër Bochum, duke u ndëshkuar edhe me karton të kuq. Jurgen Gjasula kapi forcërisht kundërshtarin e tij në qafë, një veprim të cilin arbitri kryesor Robert Shrëder e cilësoi si një agresion fizik. Por, veprimet e dënueshme të Gjasulës nuk u ndalën me kaq pasi sipas mediave gjermane, ai kërcënoi edhe arbitrin e katërt, dhe kjo është pasqyruar në raportin e delegatit të ndeshjes.
Edhe pse stafi i Greuther Furth kërkoi të minimizonte ngjarjen, duket se veprimi i mesfushorit në minutën e 7 shtesë do t’i kushtojë shtrenjtë dhe kjo u konfirmua nga shefi i arbitrave. “Do të ketë një raport special dhe është plotësisht e mundur që për këtë futbollist të ketë një pezullim me shumë ndeshje”, tha shefi i arbitrave të Bundesligës, 60-vjeçari Hans-Jurgen Weber. Jurgen Gjasula i lindur në Tiranë, është aktivizuar në dy ndeshje me Kombëtaren shqiptare, por pa lënë shenjë, dhe është zhdukur nga radarët e stafit teknik që prej vitit 2013.