13 nëntor 2015 – Gjeli i detit, tradita e kahershme e qytetarëve durrsakë këtë vit ka zbritur në tregun e gjësë së gjallë në Durrës. Gjelat e detit janë duke pushtuar bulevardet kryesore, ndërsa risia është se gjeli i detit vjen me një çmim dy herë më të lartë se një vit më parë.
Aktualisht, për peshën e gjallë çmimi shkon nga 8 deri në 10 mijë lekë të vjetër për kg. Një tufë e madhe me gjela deti nga Peza, tregtohen në sheshin para Mauzoleumit të Dëshmorëve, nga një fermer pezak.
“I kemi rritur vetë, shkojnë nga 10 deri në 13 kg peshë e gjallë, edhe çmimi është i arsyeshëm, deri në 800 lekë kg, do ta marrin. Prej mëngjesit, kam shitur tre copë deri tani”, shprehet rritësi i tyre.
Sipas tij, kërkesa e qytetarëve durrsakë është e ulët. Zakonisht tregtarët e shpendëve dalin në tregun e gjësë së gjallë, pranë tregut të Fruta – Perimeve, por në mungesë të kontrollit nga bashkia, zënë trotuaret, ku e si të mundin.
Në Durrës zakonisht vijnë tregtarë të gjelit të detit që nga fshatra të Lezhës, Kavaja e Rrogozhina. Duke qenë se edhe zona e Elbasanit është pa fuqi blerëse, shumë tregtarë kanë filluar të dalin në Durrës nga zona e fshatrave të Peqinit. Fuqia blerëse në Durrës e ka pësuar rëndë nga viti në vit, jo vetëm si pasojë e rritjes së çmimit të mishit, por si pasojë e të ardhurave të pakta të familjeve.
/K.H. portali DurresLajm/