Plot 50 000 euro si edhe një librezë kursimi me vlerë 100 000 euro, u gjetën nga një 25-vjeçar sirian në Minden të Gjermanisë. Ai e gjeti shumën e parave në një apartament të vogël, që ia kishte dhënë në përdorim një shoqatë bamirësie. Shumëkush do të ishte i lumtur me këtë gjetje dhe do t’i mbante për vete paratë, por 25- vjeçari i dorëzoi ato në Zyrën e Emigracionit.

“Ky njeri është shembull për të gjithë”, thuhet në një deklaratë të policisë.

Refugjati ka shpjeguar se duke lëvizur një dollap, në shtëpinë që i ishte dhënë për t’u sistemuar, pas mbërritjes nga Siria, gjeti një sirtar të fshehtë pas tij. Atje ishte edhe i gjithë “thesari”, bankënota me prerje 100 dhe 500 euro, si edhe një librezë kursimi.

”Nuk u mendova dy herë, mora shumën dhe ia dhashë një nëpunësi të Zyrës së Emigrimit. Ai lajmëroi menjëherë policinë, që tani po heton origjinën e gjithë këtyre parave, pronari i të cilave nuk dihet ende”, tha emigranti.