LEZHE, 17 maj 2013– Gjenden në Mal të Zi tre fëmijët e zhdukur një ditë më parë në Fushë Milot. Policia e Lezhës konfirmoi se fëmijët ishin nisur me dëshirë për në Mal të Zi, ndërsa hodhi poshtë pretendimet e familjarëve se ata mund të ishin rrëmbyer.
Familjarët e tre të miturve nga Fushë-Miloti mbrëmjen e djeshme kanë denoncuar në policinë e Kurbinit zhdukjen e fëmijëve të tyre. Klodian Shabani, 11 vjeç, Ramazan Murati, 12 vjeç dhe Ervin Hidri, 11 vjeç, që të tre nxënës të klasës së gjashtë të shkollës 9-vjeçare në Fushë-Milot, janë larguar mëngjesin e djeshëm nga banesat e tyre, të cilat janë ngjitur dhe nuk janë kthyer më.
Hamza Shabani, xhaxhai i Klodianit, tregoi se fëmijët ishin nisur në mëngjes për shkollë dhe duhet të ktheheshin pak pas mesditës, por nuk ka ndodhur kështu. Prindërit kanë kontaktuar edhe me mësuesen kujdestare, e cila ka pohuar se të tre nxënësit kanë qenë në shkollë deri në orën 11:00 dhe më pas mësimi ka mbaruar dhe ata janë larguar për në shtëpi. Me gjithë kërkimet e shumta, tek të afërmit dhe në zonën përreth, familjarët nuk kanë mundur të gjejnë asnjë gjurmë nga fëmijët.
Mbrëmjen e djeshme ata kanë denoncuar në Policinë e Kurbinit për zhdukjen e 3 të miturve, e cila ngriti patrulla të shumta dhe kreu kërkime në të gjithë zonën. Pas njoftimit të autoriteteve malazeze, policia zbuloi se fëmijët kishin kaluar kufirin dhe ndodheshin në shtetin fqinj.


