Një djalë adoleshent trupi i të cilit u gjet në pyjet e Colorado, SHBA pasi kishte shkuar të jetonte jashtë sistemit bashkë me nënë dhe tezen, peshonte vetëm 25 kg në kohën e vdekjes, thuhej së fundmi në raportin e autopsisë.
14-vjeçari i paidentifikuar publikisht kishte vdekur bashkë me nënën e tij Rebecca Vance, 42 vjece, dhe tezen Christine Vance, 41, disa kohë pasi kishin vendosur të largoheshin nga civilizimi në Colorado Springs, edhe pse nuk kishin shumë eksperiencë për mbijetesën në botën e egër.
Të tre raportohet se kishin vdekur nga kequshqyerja e hiportermia, sipas raportit të autopsisë, të publikuar nga rrjeti vendas, Colorado Sun.
Kanoçe të zbrazura ushqimi dhe udhëzime mbijetese ishin gjetur në kampin e tyre të largët, kur u zbuluan trupat në korrik, por nuk kishte shenja ushqimi apo ngrohjeje në vendqëndrimin e tyre, shkruan Colorado Sun.
Shëtitës të zonës malore kishin gjetur trupin e të riut dhe autoritetet që erdhën më vonë gjetën dhe mbetjet e nënës dhe tezes së tij brenda një tende blu, në kampingun e izoluar rreth 160 km larg ish-shtëpisë së tyre në qytetin e Colorado Springs.
Motra nga nena e dy grave kishte thënë më herët për mediat se adoleshenti nuk ishte plotësisht i bindur për largimin në botën e egër.
“Ai ishte edhe i emocionuar dhe i trembur,” kishte thënë më herët Trevala Jara. “Ishte vetëm 13 vjeç kur ato u nisën. Nuk e dinte ç’do të thotë të jetoje në atë mënyrë, por vetëm donte të ishte me nënën e tij”.
Jara shtonte më tej se Rebecca, donte të largohej nga bota e civilizuar dhe kishte bindur dhe motrën e vogël për të ardhur me të.
Rebecca përshkruhej nga të afërmit si e veçuar, introverse dhe jo e përshtatur me ambientet e jashtme. Jara shton se ajo nuk mund të bindej nga të afërmit të hiqte dorë prej largimit ekstrem.
Familja ishte nisur në largimin e tyre pa shumë përgatitje përveçse duke ndjekur disa video mbijetese në YouTube, tregon më tej Jara.
Treshja ishin shpallur të humbur në tetor vitin që shkoi.
Të tre trupat e viktimave ishin të dobësuar dhe të dekompozuar, shkruhet në autopsi, dhe doktorët thanë se mund të kenë vdekur gjatë dimrit.