Më shumë se 24 orë pas largimit nga banesa, policia ka mundur të gjejë vajzën 12-vjeçare në Durrës dhe ta kthejë atë pranë familjes. E mitura mësohet se është gjetur në afërsi të Pallatit të Sportit “Ramazan Njala” në Durrës.

Kanë qenë qytetarë që kanë raportuar në polici, pasi kishin parë njoftimin në media për zhdukjen e saj. Vajza po merret në pyetje nga psikologia për të shpjeguar arsyet e largimit nga shtëpia.

Njoftimi i policisë:

Në lidhje me largimin nga banesa të vajzës së mitur 12 vjeçare, Policia bën me dije se rreth orës 15:30, vajza është gjetur tek Pallati i Sportit, Durrës, në gjendje të mirë shëndetësore.

Vajza është shoqëruar në ambientet e Komisariatit, ku në praninë e psikologes dhe familjarëve po pyetet për arsyet e largimit nga banesa.

 Drejtoria Vendore e Policisë Durrës falënderon median dhe qytetarët për bashkëpunimin.