Anija e marrë peng “Çelepia 2” është gjetur mëngjesin e sotëm në brigjet e Aleksandrisë, ndërsa për dy marinarët e marrë peng nuk ka ende asnjë të dhënë.
Burime jozyrtare konfirmojnë për “DurrësLajm” se policia egjiptiane se bashku me autoritetet e këtij vendi, kanë zhvilluar kontroll dhe kanë gjetur anijen me 3 persona në bord.
Sipas të njëjtave burime, paraprakisht dyshohet se në bord janë tre egjiptianë dhe asnjë shqiptar.
Deri më tani, asnjë prej pengjeve, as Luan Mema dhe as Dhimitër Malja nuk kanë kontaktuar me familjarët apo autoritetet shqiptare.
Një ditë më parë, egjiptiani Adel Salam dha kërcënimin e fundit ndaj pronarit të anijes. Ai i dërgoi disa numra llogarie ku të depozitonte shumën prej 70 mijë eurosh, në të kundërt do të digjte mjetin lundures. Afati i fundit për të dorëzuar paratë, sipas tij, ishte dita e djeshme.





