Katër persona janë arrestuar nga policia në Britaninë e Madhe pas gjetjes së gjysmë toni kokainë me vlerë 40 milionë paund në parkingun e një lokali.
Droga u gjet në një furgon të parkuar në Stags Head Inn, East Yorkshire.
Të arrestuarit, tre burra nga Skocia dhe një nga Kolumbia u arrestuan nën dyshimin e importimit të lëndëve narkotike nga Amerika Latine drejt Britanisë së Madhe dhe do të mbeten në paraburgim deri në gjykimin e dosjes së tyre.
“Kjo ishte një sasi e konsiderueshme kokaine dhe sekuestrimi i saj do të jetë një goditje e konsiderueshme për grupin e krimit të organizuar që tentoi ta kontrabandonte atë në Mbretërinë e Bashkuar. Nuk ka dyshim se këto droga do të ishin shitur në komunitete rreth Britanisë së Madhe, duke nxitur krimin dhe shfrytëzimin e mëtejshëm”, u shpreh Alan French, oficer i lartë drejtues i Agjencisë Kombëtare të Krimit.