Asnjë i mbijetuar nuk u gjet në vendin e rrëzimit të helikopterit që mbante presidentin e Iranit Ebrahim Rais 63 vjeç dhe ministrin e Jashtëm, njoftoi agjencia shtetërore iraniane e lajmeve IRINN dhe agjencia gjysmë zyrtare e lajmeve Mehr News.

Presidenti Ebrahim Raisi, ministri i Jashtëm Hossein Amir-Abdollahian dhe disa të tjerë konfirmohet se janë vrarë në rrëzimin e helikopterit të së dielës në veri-perëndim të Iranit.

Pamjet me dron janë shpërndarë në kanalet e mediave sociale të agjencisë shtetërore iraniane të lajmeve IRNA, të cilat agjencia thotë se tregojnë rrënojat e helikopterit të Presidentit Raisi.

Pamjet, të xhiruara nga Gjysmëhëna e Kuqe, duket se tregojnë bishtin e një helikopteri pranë një toke të djegur në një kodër të mbushur me mbeturina.

Ekipet e shpëtimit kanë thënë se nuk ka shenja jete në vend.

Reuters ka raportuar gjithashtu se helikopteri është “djegur plotësisht” në përplasje, duke cituar një zyrtar iranian.

“Helikopteri i Presidentit Raisi u dogj plotësisht në përplasje… për fat të keq, të gjithë pasagjerët dyshohet se kanë vdekur”, tha zyrtari.