21 korrik 2015 – Një 17-vjeçar i identifikuar si Ismaele Lulli, pasi ishte zhdukur në periferi të Pesaros është gjetur i masakruar. Kufoma e tij mësohet se u gjend të hënën në një kishë në lokalitetin e San Martinos, jo shumë larg nga Urbino, ku adoleshenti jetonte së bashku me mamanë dhe motrën e vogël.
Ismaele, siç shkruan 'Corriere della Sera', i kishte duart dhe këmbët e lidhura dhe një prerje të madhe në fyt. Hetuesit thonë se, i riu mund të jetë vrarë në një vend tjetër dhe më pas është sjellë aty për të mbuluar gjurmët. Zbulimin makabër e ka bërë një kalimtar i rastit që më pas njoftoi policinë.
Nga hetimet paraprake, mësohet se në kërkim janë dy shokë të Lullit, të dy shqiptarë. Ende nuk dihet se për çfarë kërkohen ata, si autorë të mundshëm apo si persona që mund të kenë dijeni për këtë ngjarje të rëndë.
/S.L. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/