MOSKË, 18 shkurt 2013 – Trupi i një deputeti rus, të rrëmbyer në mes të muajit shkurt, u gjet në një fuçi të mbushur me çimento në një fshat të vogël pranë Moskës. "Trupi i Mikhaïl Pakhomov, 36 vjeç, deputet i Këshillit legjislativ të qytetit Lipetsk, rreth 438 kilometra në jug të Moskës, u zbulua në një garazh privat nën tokë, në një fuçi të mbushur me çimento në fshatin Oboukhovo, rreth 30 kilometra nga Moska, theksoi sot komiteti rus i hetimit në një komunikatë.
''Hetuesit arritën në përfundimin e një vrasjeje të dhunshme, pasi në trupin e viktimës u vunë re shenja që tregonin se ai ishte rrahur dhe torturuar para se të vritej'', theksoi i njëjti burim. Pakhomov, 36 vjeç, ishte zhdukur që prej 12 shkurtit në Lipetsk dhe policia kishte hapur një hetim për rrëmbim dhe vrasje.
Të paktën tetë persona, mes të cilëve drejtues të dyshuar, një ish-ministër i strehimit dhe shërbimeve kolektive në rajonin e Moskës, Evgueni Kharitonov, u arrestuan lidhur me vdekjen në fjalë. Sipas një burimi nga grupi i hetimit njw ish zyrtar shtetëror, Yevgeny Kharitonov, mendohet të jetë urdhëruesi i vrasjes së Pakhomov. Policia ruse po punon për të zbardhur deri në fund vrasjen e deputetit.