Sporti i basketbollit është tronditur. Basketbollisti letonez, Janis Timma është gjetur i vdekur në mëngjesin e sotëm në Moskë. Basketbollisti i ekipit Manbus Obradoiro u gjet pa shenja jete në një hotel në kryeqytetin rus, ndërsa pranë trupit të tij u gjet edhe një shkrim lamtumire për gruan e tij, njoftojnë mediat letoneze.

Policia ka njoftuar se bëhet fjalë për një vetëvrasje pasi nuk ka shenja apo elemente të veprës penale – vrasjes.

“Më telefono Ana”, shkruante në telefonin e tij, duke iu drejtuar gruas së tij. 32-vjeçari duket se nuk ka mundur ta përballojë dot divorcin me gruan e tij kështu që vendosi t’i japë fund jetës së tij.

Përfaqësuesi letonez ka luajtur për disa ekipe si Baskonia, Olympiacos, Khimki, UNICS, Zenit etj, ndërsa me Letoninë debutoi në vitin 2013 dhe ka luajtur për Kombëtaren e tij në turneun kualifikuar për Lojërat Olimpike “Paris 2024”.

Këngëtarja ruse, 42-vjeçarka Anna Sedokova, e përlotur dhe me një shprehje të dhimbshme në fytyrë, ka reaguar për vdekjen e ish-bashkëshortit të saj Janis Timma, nga i cili u divorcua së fundmi. Pas konfirmimit të vdekjes u raportua gjithashtu se Timma kishte lënë edhe një mesazh për ish-gruan e tij, e cila ka reaguar tashmë me dhembshuri.

“Gjithë jetën time nuk e kam kuptuar se si mund të regjistrojnë histori njerëzit që u ndodh kjo në jetën e tyre. Megjithatë, tani po ju lutem shumë. Ju lutem. Unë kam një fëmijë, ai është i vogël, ai nuk duhet të dijë asgjë për këtë”.

“Mos e imagjinoni se si kam jetuar vitet e fundit në ferr, thjesht duhet ta shpëtoj fëmijën tim nga ky informacion”, ka thënë këngëtarja në kanalin e saj në Instagram dhe Telegram.

Sedokova dhe basketbollisti letonez filluan një lidhje në vitin 2019 dhe dasma e tyre u bë e njohur një vit më vonë. Ishte martesa e tretë e këngëtares, e dyta e basketbollistit, por në fillim të këtij viti u bë i ditur për divorcin e tyre. Sipas mediave ruse, Timma vuante nga depresioni, i cili vrau veten në ditën kur ish-bashkëshortja e tij festonte ditëlindjen dhe i la një mesazh në telefon enkas për të.