Vlorë, 14 gusht 2014 – Një i ri i cili punonte kamerier në një prej lokaleve të Dhërmiut është gjetur i vrarë pranë bregdetit.
Pasi kishte marrë sinjalizimet nga banorët e zonës, policia e Vlorës ka shkuar në vendngjarje dhe ka konstatuar se trupi i pajetë ndodhej në brigjet e plazhit të Drimadhës, në Dhërmi.
Uniformat blu bëjnë të ditur se janë konstatuar shenja dhune në trupin e viktimës, një person rreth të 30-ave me iniciale D.V nga Elbasani, duke ngritur dyshimet se ai mund të ketë humbur jetën nga dhuna e ushtruar.
Banorët e zonës thonë se viktima punonte si një kamarier në një nga lokalet e plazhit me emrin 'Shija e Jetes'.
Dyshohet se ngjarja ka lidhje me humbjen e një shume lekësh, pasi sipas informacioneve të para i riu është akuzuar për humbjen e 500 mijë lekëve të rinj.
Policia po vazhdon hetimet për të zbardhur krimin ndaj kamarierit.
/agjencia e lajmeve "Dyrrah"/





