Fier, 16 maj 2014 – Ekzekutohet me armë zjarri brenda në automjet një biznesmen në Fier. Ngjarja është shënuar rreth orës 8:30 të mëngjesit të sotëm në qendër të qytetit. Viktima është identifikuar si Agron Ymeraj, 53 vjeç pronar i një firme hidro-sanitare, ndersa ka të dhëna se si autor i dyshuar i saj është shtetasi Eni Veshi. 

Mësohet se biznesmeni është qëlluar me breshëri automatiku, në momentin që ka hipur në automjetin tip Audi me targa AA 758 BF, që qëndronte i parkuar 50 metra larg banesës. 

Dyshohet se autorët i kanë zënë pritë dhe në kohën që 53-vjeçari është futur në makinë është qëlluar mbi të nga jashtë me breshëri plumbash. Në vendin e ngjarjes janë gjetur rreth 12 gëzhoja. 

Nga hetimet e para dyshohet se ngjarja ka ndodhur për motive hakmarrjeje, pasi dy djemtë e viktimës rreth një vit e gjysmë më parë u akuzuan për vrasjen e inxhinierit të naftës Kol Veshi, por që do të liroheshin më pas për mungesë provash. 

Ka qenë roja i parkingut ai që ka njoftuar policinë ditën e sotme pasi ka pikasur biznesmenin e vrarë në automjet.

/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/