Gjendet i vrarë me armë zjarri një 52-vjeçar brenda automjetit të tij.

Ngjarja e rëndë ka ndodhur mëngjesin e sotëm, rreth orës 05:00, kur forcat e policisë janë njoftuar se në vendin e quajtur “Karburant Vola” në rrugën “Transballkanike”, është gjendur i vrarë një person me armë zjarri tip automatik, brenda në automjetin tip “HONDA” me targë: JBM3221.

Mësohet se viktima është identifikuar si shtetasi Hyqmet Nexhipi, 52 vjeç, banues në Vlorë.

I ndjeri ishte pronar i një anijeje peshkimi me emrin “DRITA”, dhe në momentin e atentatit, dyshohet se ky person ka qenë në lëvizje e sipër me mjetin e tij.

Gjithashtu, është gjetur dhe një automjet i djegur tip “BENZ”, me targë: DR4863B, në lagjen “24 Maji”, i cili dyshohet se mund të ketë lidhje me krimin.

Shërbimet e policisë kanë nisur hetimet për zbardhjen e ngjarjes.