Policia e Vlorës bën të ditur se ka gjetur automjetin me të cilin dyshohet se grabitësit e bankës kanë mundur të largohen pas grabitjes.

Autovetura e markës “Benz-250”, me targë 453AJL06, ngjyrë e bardhë, u gjet e braktisur në lagjen “Lef  Sallata”, pranë shkollës speciale të prapambetjes së lehtë mendore.

Nga veprimet e kryera nga policia, rezulton se ky automjet është vjedhur më 10 korrik në lagjen “Rilindja” në Vlorë, pranë rrugës “Transballkanike”.

Gjithashtu bëhet e ditur se sipas inventarit të mbajtur nga ana e Auditit të Bankës, dyshohet se autorët kanë mundur të marrin një sasi prej 6 milionë lekësh dhe 33.695 eurosh.

Policia vazhdon hetimet në bashkëpunim me Prokurorinë, për të sqaruar edhe rolin e shërbimit të sigurisë private që ka nënshkruar kontratë për sigurinë e bankës.