Pas një kërkimi 103-vjeçar janë gjetur mbetjet e nëndetëses së parë të humbur të marinës australiane, që i jep fund kështu misterit më të madh detar të vendit.

HMAS AE-1 ishte gjithashtu e para nëndetëse e aleatëve e zhdukur gjatë Luftës së Parë Botërore në afërsi të brigjeve të Rabaulit në Papua Guinea e Re, me 35 pjesëtarë australianë dhe britanikë ekuipazhi në bord.

Ky ishte misioni i 13-të kërkimor për HMAS AE-1 e suksesi u arrit më në fund falë një droni nënujor të përdorur nga ekipet e kërkimit.

Për ministren australiane të Mbrojtjes, Marise Payne, gjetja e nëndetëses së zhdukur prej një shekulli përbën njërin prej zbulimeve më të rëndësishme në historinë detare të vendit.

Nëndetësja u gjet në një thellësi prej më shumë se 300 metrash.