Në brendësi të kamionit që la të vdekur 4 persona në Stokholm ka qenë edhe një bombë artizanale. Lajmi është konfirmuar të dielën nga policia suedeze, e cila nuk dha detaje për pajisjen shpërthyese. Bomba artizanale ka qenë e fshehur në vendin e shoferit.

Të dhënat e reja nga hetimet thonë se 39 – vjeçari nga Uzbekistani ka qenë në prag të dëbimit nga Suedia pasi autoritetet i refuzuan kërkesën për azil ne qershor te vitit te kaluar.

Qe nga ajo kohe, autori i masakrës së të premtes, ka qenë në kërkim nga zyrtarët e emigracionit.

Sipas policisë, 39-vjeçari, thuhet se ka qenë mbështetës i  grupeve ekstremiste.

Aktualisht, hetimet janë përqendruar në zbulimin e lidhjeve te 39-vjeçarit me grupe terroriste.

Me një kamion të vjedhur paraditen e së premtes, 39-vjeçari u vërsul drejt këmbësoreve, duke vrarë 4 vetë e plagosur 15 të tjerë, për tu përplasur më pas në hyrjen e një qendre tregtare.

Me mijëra suedeze janë mbledhur të dielën në Stokholm në një marshim të heshtur në nder të viktimave të sulmit me kamion.

Edhe fqinjët norvegjezë janë alarmuar të shtunën, pasi policia në Oslo gjeti një pajisje shpërthyese, e cila u çaktivizua. Detaje të reja priten në vazhdim.