Një kafkë e dekompozuar njeriu është gjetur pasditen e djeshme pas Kalasë së Kaninës, te varrezat e fshatit. Policia sqaron se nga këqyrja e bërë nuk ka rezultuar që të ketë shenja dhune.
“Më datë 27.04.2017, rreth orës 15:54, pas Kalasë së Kaninës, në varrezat e këtij fshati, Policia ka konstatuar një kafkë koke njeriu të dekompozuar. Nga këqyrja që i është bërë këtij skeleti, nuk është konstatuar asnjë shenjë dhune apo dëmtim tjetër”, thuhet në njoftimin e policisë së Vlorës.
Kafka është dërguar në morgun e qytetit të Vlorës dhe i është venë në dispozicion mjekut ligjor me qëllim dërgimin e saj drejt Mjekësisë Ligjore Tiranë për veprimet e mëtejshme procedurale. Materialet i kaluan Prokurorisë për “Vlerësim Juridik”.





