Një makinë tip “BMW” është gjetur e djegur në afërsi të “Urës së Mifolit”. Paraprakisht dyshohet se makina i përket autorëve të atentatit të mbrëmshëm në Vlorë, ku mbeti i vrarë Elidon Mehmeti 35 vjeç.

Sipas policisë, mjeti është gjetur në anë të rrugës Fier – Vlorë, në fshatin Ferras.

Ndërkohë policia ka shoqëruar 2 persona në komisariat për të hedhur dritë mbi vrasjen e Elidon Mehmetit.

35-vjeçari Elidon Mehmeti u ekzekutua mbrëmjen e djeshme, rreth orës 23:00. Ngjarja ndodhi në lagjen “Pavarësia”, në zonën e Skelës. Elidon Mehmeti ka qenë në mjetin tip “Ford”, me targa AA 709 HM, përballë një hoteli, kur është qëlluar me armë zjarri.