Itali, 17 prill 2014  – Pas 4 ditësh në kërkim është bërë e mundur gjetja e të riut homoseksual shqiptar, largimin e të cilit e kishte denoncuar disa ditë më parë në polici partneri i tij italian. Pas katër ditë largimi Denis Loci është shfaqur sërish dhe ka treguar arsyet e zhdukjes së tij. Denisi ka thënë se është larguar vetëm për hir të partnerit të tij, Fabio Diodato, pasi ambienti ku ata jetojnë në Pavia është shumë paragjykues.

Pas rikthimit pranë të dashurit të tij, homoseksuali shqiptar i ka bërë apel komunitetit shqiptar në Itali që ta lënë rehat, sepse ai është i kënaqur me zgjedhjen që ka bërë dhe të tjerët duhet ta respektojnë dhe jo ta sulmojnë.

Gjithashtu, Denisi ka thënë se prindërit e tij e kanë pranuar marrëdhënien e tij me të riun italian dhe prindërit bashkë me vëllanë momentalisht ndodhen në shtëpinë e partnerit të tij, Fabio Diodato. Po gjithashtu prindërit e 25-vjeçarit shqiptar janë takuar edhe me prindërit e Fabios.

Disa ditë më parë, partneri italian i Denisit denoncoi zhdukjen e tij, pasi 25 vjeçari ishte larguar nga studioja e Diodato-s për të pirë një kafe dhe më pas nuk ishte kthyer më. Diodato i trembej faktit se Denisi mund të vritej ose të rrëmbëhej nga njerëzit që i kishin kërcënuar herë pas here, ose dhe nga të afërmit e shqiptarit që kishin kundërshtuar me forcë lidhjen e tyre.

Mësohet se Denisi ishte martuar më shumë se një vit më parë, ndërkohë që ishte njohur me partnerin e tij aktual Fabion rreth 6 muaj më parë dhe shumë shpejt kishin nisur të bashkëjetonin.

/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/