Më 18 prill të vitit të shkuar, një 23-vjeçare u shpall në kërkim nga policia e Durrësit, pasi prindërit e saj denoncuan largimin nga banesa të vajzës së tyre.
Pas më shumë se 14 muajsh, ajo është gjetur nga uniformat blu, e cila ka deklaruar para tyre se ishte larguar me dëshirë nga banesa.
Por ku kishte qenë vajza me iniciale J.K., sot 24 vjeçe, gjatë gjithë kësaj kohe?
Jeta e saj brenda një periudhe 1-vjeçare ka ndryshuar shumë. Ajo ishte larguar në Itali me të dashurin e saj, me të cilin mbeti dhe shtatzënë. Tashmë ajo ka lindur dhe së bashku po rrisin fëmijën e tyre të parë.
“DurrësLajm” mëson se në atë kohë, familja e vajzës nuk e pranonte djalin me të cilin ajo kishte krijuar këtë lidhje. Kështu, ajo ishte larguar drejt vendit fqinj për të filluar një jetë re.
Me të mbërritur këto ditë në Shqipëri, ajo ka mësuar se ishte në kërkim nga uniformat blu që prej prillit të 2015-s. Sipas deklaratave të saj para policisë, 24-vjeçarja është shprehur se nuk ka pasur dijeni që këtu ishte bërë një denoncim nga ana e prindërve dhe po punohej për gjetjen e saj.
S.L.





