Ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla, ka publikuar disa pamje të municioneve, armëve dhe uniformave, që sipas tij, janë gjetur të martën gjatë kontrolleve policore në veri të vendit.
Ministri Sveçla ka thënë se ato janë gjetur në një ahur. Ai ka bërë të ditur gjithashtu se përveç uniformave të ushtrive të Serbisë dhe Rusisë, janë gjetur edhe uniforma të ushtrive të SHBA-së dhe Britanisë.
“Përveç uniformave të ushtrive të Serbisë dhe Rusisë, në këto dëshmi shihen uniforma të ushtrive të ShBA-ve dhe asaj Britanike dhe ky fakt shpërfaq planet dhe skenarët ogurzi për të kryer krime e sulme dhe për të fajësuar shtete të tjera”, – ka shkruar ai. Sveçla ka paralajmëruar se kushdo që tenton ta cenojë rendin kushtetues e sigurinë e Kosovës, do të ndëshkohet me forcë.