Gjendet sërish drogë në bregdetin e Durrësit.

Policia bën me dije me anë të një njoftimi për shtyp, se në vendin e quajtur “Kepi i Palit”, janë gjetur dhe sekuestruar 115 kg e 900 gramë kanabis.

Sasia e lëndës narkotike ishte ndarë në 74 pako të mbështjella me celefon të tejdukshëm. Ajo u zbulua dje në breg të detit në vijim të kontrolleve të ushtruara nga Shërbimet Bregdetare, ndërsa autorët janë ende të paidentifikuar.

Grupi hetimor vijon punën për zbulimin e origjinës së lëndës dhe zbardhjen e plotë të ngjarjes, si dhe identifkimin dhe kapjen e autorëve.

Vetëm 5 ditë më parë, një tjetër sasi kanabisi u zbulua në bregdetin e Durrësit. Policia gjeti një thes me rreth 20 kg kanabis, ndërsa autorët edhë në këtë rast janë ende të paidentifikuar.

Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës për veprime të mëtejshme për veprën penale “Trafikimi i lëndëve narkotike”.