26 korrik 2015 – Një tjetër djalë i ri shqiptar është gjetur i vrarë. Fatkeqësia e radhës vjen nga Larisa në Greqi, ku shqiptari 21-vjeçar jetonte me familjen e tij.
Mediat greke shkruajnë se shqiptari, identiteti i të cilit nuk bëhet ende i ditur, është qëlluar me armë nga një distancë e afërt dhe më pas autori e ka djegur për të fshehur gjurmët. Trupi i pajetë i të riut është zbuluar në një zonë të pabanuar në Larisa.
21-vjeçari kishte që prej ditës së premte i humbur dhe familja e tij ishte në ankth pasi nuk kishte arritur të kontaktonte me të. Ndërkohë, policia greke thotë se është duke hetuar shkaqet e ngjarjes.
Brenda pak kohësh, ky është rasti i tretë ku shqiptarët gjenden të masakruar në vendet e huaja. Pas ekzekutimit në mënyrë makabre të studentit shqiptar në Belgjikë, Xhuliano Brahimllari, trupi i të cilit u gjet pa kokë në pyll, pak ditë më parë u gjet dhe trupi i pajetë i 17-vjeçarit Ismail Luli, i cili u ther nga bashkëkombasit e tij në Itali.
/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/