(Në foto, aksidenti i ndodhur një javë më parë në hyrje të Durrësit)
Pavarësisht angazhimit të policisë së rendit e të qarkullimit rrugor për të disiplinuar shoferët në qarkullim, 2015-a konsiderohet si viti i luftës për sa i përket viktimave në rrugë dhe të aksidentuarve. Nga të dhënat zyrtare për “Durrës Lajm”, konfirmohet se gjatë vitit 2015, në shkallë qarku kanë ndodhur 323 aksidente automobilistike, nga të cilat 36 shtetas kanë gjetur vdekjen, të gjymtuar kanë mbetur 55 shtetas, ndërsa janë plagosur më lehtë 359 shtetas të tjerë.
Sipas të dhënave, mesatarisht çdo ditë në rrugët e Durrësit ndodh një aksident, plagoset një person, ndërsa çdo 10 ditë mbetet një person i gjymtuar, e çdo muaj tre persona humbasin jetën në rrugë.
Akoma edhe më i rëndë është fakti që përgjatë gjithë vitit të shkuar policia e qarkullimit rrugor jo vetëm në Durrës, por në të gjithë vendin, u ka vendosur me miliona lekë gjoba me dhe pa arsye shoferëve, në trafik, apo gjatë parkimit të mjeteve. Madje në shumë raste, shoferët nuk kanë gjetur as mjetet sepse policia e qarkullimit rrugor ua ka marrë me karroatrec makinat, duke ua rënduar edhe më shumë “gjobën” shoferëve.
K.H.





