“Gjenerata e re e do ushtrinë, kërkon të njohë sa më shumë se si mund të mbrojë vendin e tij”. Ky fakt merr më shumë vlerë në një kohë kur sot bota është e trazuar dhe po sheh çdo ditë pasojat e luftës në Ukrainë nga Rusia.
Për të konfirmuar këtë deklaratë të bërë dje në media, gjeneral Albert Mullai sjell shifrat, teksa zbuloi se ka pasur 986 aplikantë për 60 vende të lira në Akademinë Ushtarake.
“Do përgatisim ushtarakë si në Amerikë, përgatitja fizike, e karakterit edukimi ushtarak dhe shkencor. Sistemi ynë nga 3-vjeçar do kalojë 4-vjeçar. Do përgatisim liderë për të ardhmen e vendit. Në krye të katër viteve, çdo ushtarak do jetë sportist elitar në një sport që ai do e zgjedhë vetë, mbrojta në 2 gjuhë të huaja dhe bashkëpunimi me jashtë është shumë intensiv, me bursa të NATO.
986 aplikantë për 60 vende. Interesi është shumë i shtuar dhe vë re që prurjet e reja, viti i parë dhe i dytë janë shumë të motivuar nga sa ne e prisnim, gjenerata e re e do ushtrinë, do të njohë si mund ta mbrojë vendin. Dhe janë njerëz të mirë arsimuar dhe të dëshiruar për të qenë liderë në të ardhmen”, deklaroi ai.
Për t’i kundërpërgjijur këtij interesi të shtuar, por edhe për të afruar sa më shumë të rinjtë dhe jo vetëm në Ushtri, së fundmi është marrë edhe vendimi i qeverisë për rritje të pagës në masën 30% nga 1 korriku, mirëpo gjenerali tha se kjo nuk është e vetmja masë. Ai shtoi se për ushtarakët ka edhe mbështetje të tjera ekonimike.
“Rritja e pagës përfshin edhe ushtarakët që janë jashtë. Kategoritë janë çdo individ që shërben në forcat e armatosura, 30% e vlerës që marrin mbi pagë. Pastaj ka dhe pagesa për vështirësitë që përballojnë detyra specifike dhe ka masa shtesë financiare.
Do të ketë edhe kredi të buta për ata që janë ushtarakë që sapo krijojnë familje, për ata që janë të dy bashkë në Forcat e Armatosura, ushtarakët shërbejnë edhe larg familjes, prandaj është e rëndësishme mbështetja financiare.
Ka dhe masa të tjera, kjo është masa e prekshme, por ka kohë që ka institucionalizuar një sërë masash rregullimi i uniformave, përmirësimi i transportit, përmirësimi i kushteve brenda reparteve, standardi i armatimit, teknikës dhe sjellja e individëve me uniformë”, nënvizoi gjeneral Albert Mullai.