DURRËS, 28 maj 2015 –  Në një shkrim të gjatë të botuar më 28 maj 2015 në të përditshmen “Panorama”, me titull “‘Pranverë mbarëshqiptare’ e lidershipit” gjeneral brigade Piro Ahmetaj, ndër të tjera, këshilltari i Presidentit të republikës për mbrojtjen, bën akuza tepër të rënda në emër të opozitës. Bie në sy se gjithë stafi i Presidentit ka hyrë në fushatë elektorale, por në rastin e Ahmetit shfaqet hapur kërcënimi për “grusht shteti”, gjë që ka shqetësuar qarqet diplomatike perëndimore, që i kanë dhënë Shqipërisë statusin e liderit ballkanik. Nuk dihet nëse prokuroria do të fillojë çështje penale për këtë funksionar të lartë të shtetit. Por është për t’u vënë në dukje guximi i gjeneralit për të sulmuar Kuvendin, që ka në dorë emërimin dhe shkarkimin e Presidentit të Republikës. Ahmetaj është kujdesur të shënojë se vlerësimet e tij “nuk përfaqësojnë qëndrimet e institucionit ku shërben”, pra të Presidentit Bujar Nishani.

Ja disa nga deklarimet më pikante të njeriut të gjeneralit:

“Lidershipi i Shqipërisë. Ka për detyre kushtetuese (jo propagandistike): stabilitetin brenda vendit, përgjegjësi kritike, faktorizimin, mbrojtjen dhe promovimin e interesave mbarëshqiptare në rajon,dhe jo vetëm. Fatkeqësisht, po të analizosh qëndrimet ndaj reformave të sigurisë; vrasjen e bankierit Santo, dinamikën në rastin e biznesmenëve udhëheqës “Doshi-Frroku”; dalldisjen bolshevike për “opozitën armike”; arrogancën në vend të mirënjohjes, triumfalizmin në vend të përulësisë, tregojnë se ky është Parlamenti më i diskredituar në historinë 103-vjeçare të Shqipërisë!

Bashkë me të, ky lidership ka në pikëpyetje kritike legjitimitetin (si / pse u zgjodhën të inkriminuarit?), si dhe ka humbur kredibilitetin për të udhëhequr interesat e shqiptarëve. Vendi është “i kapur” nga liderët/oligarkë që me fuqinë e politikës, nën motot staliniste “marrja & mbajtja me çdo kusht dhe gjithë pushteti sovjetëve” janë bërë të plotfuqishëm. Gjithfarë, populistë-marksistë, të inkriminuar, ordinerë-militantë dhe servilë pa parime, u shpërblyen fillimisht si doganierë, policë, bodigardë, tatimorë, pastaj biznesmenë, pastaj politikanë, dhe më tej dominojnë frikshëm politikën, ekonominë, sigurinë, mediat dhe jetën sociale të qytetarëve të vendit…

“Kësaj keqkatandisje” nuk i bëhet derman duke treguar “bëmat e çunave të bllokut”, “trimëritë në betejat me BAJLOZIN”, konkurruar Sulltanin e madhërishëm, apo shpikur mbledhje të përbashkëta të qeverive (përfshi Gruevskin!); bërë babaxhanin apo bërë selfie (me sy vedit). Përgjegjshmërisht mbetem i shqetësuar se mungesa e vizionit / lidershipit, qasje jo-konsensuale, politizimi, ulja drastike e buxhetit, shpërdorimi i aseteve strategjike; mungesa e solidaritetit, arroganca dhe papërgjegjshmëria propagandistike në drejtimin e FA e ka lënë Shqipërinë, dhe jo vetëm pa një projekt në fushën e sigurisë dhe të mbrojtjes!…

Këtë katandisje të lidershipit / Parlamentit etj.” nuk e shëron dot as kjo përpjekje e sforcuar e zgjedhjeve lokale, pasi të sëmurit që i ka plasur stomaku, nuk ka nevojë për aspirina, por për operacion imediat!…

E shoh te pragu i derës një “pranverë mbarëshqiptare”, që do të realizohet nga gjenerata e re, e lindur dhe edukuar ne liri, pa ngarkesa, paranoja dhe paragjykime, që do t’i tejkalojë “liderët / sundimtarët e tranzicionit të stërlodhshëm”, në menyre që stabiliteti dhe prosperiteti të perceptohen përtej historive së përgjakshme”.

 

 

 

/th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/