Negociatat e brishta dhe të tërthorta që synojnë dhënien fund të konfliktit thuajse pesë vjeçar në Siri, hynë sot në ditën e dytë në Gjenevë, ndërkohë që palët akuzojnë njëra-tjetrën se u mungon dëshira e mirë. I dërguari special i OKB-së për Sirinë, Staffan de Mistura po negocion mes grupit që përfaqëson qeverinë e presidentit Bashar al-Assad dhe opozitës siriane. Ndërkohë këtu në Uashington, senatori republikan Bob Corker i tha Zërit të Amerikës se faktet në Siri po ndryshojnë edhe me përfshirjen e Rusisë në terren.
I dërguari i Kombeve të Bashkuara Staffan de Mistura po takohet sot në Gjenevë me përfaqësuesit e qeverisë siriane pas deklarimit të fillimit të bisedimeve indirekte të paqes dhe duke u bërë thirrje fuqive botërore që të respektojnë premtimet për të siguruar edhe arritjen e një armëpushimi.
“Mbërritja në pallatin e bisedimeve dhe fillimi i diskutimeve me ne shënon fillimin zyrtarisht të bisedimeve të Gjenevës.”
Këto bisedime vijnë një javë me vonesë nga sa ishin përcaktuar. Bisedimet u shtynë pas dikutimeve se kush do të përfaqësonte opozitën dhe më pas nga një bojkot i opozitës me kërkesën për dhënien fund të sulmeve ajrore dhe heqjen e bllokadës në zonat që kontrollohen nga rebelët.
Por zoti De Mistura tha të hënën se bisedimet për të ndaluar sulmet janë pjesë e korrnizës së përcaktuar gjatë diskutimeve shumëkombëshe të mbajtura në Vjenë vitin e kaluar që hapën rrugën për bisedimet aktuale.
Por shpresa për armëpushim duket shumë e pasigurtë pasi qeveria e Assadit e mbështetur nga fuqia ajorore ruse, ndërmorrën një mësymje masive kundër forcave rebele këtë javë.
Ndërkohë, senatori republikan Bob Corker, Kryetar i Komisionit të Senatit për Marrëdhënet me Jashtë i tha për Zërin e Amerikës se opozita siriane është vënë në një pozitë të vështirë. Qeveria e Assadit, u shpreh zoti Corker, po arrin përparime në fushën e betejës dhe nuk respekton rezolutat e Këshillit të Sigurimit. Faktet nga qendra e luftimeve tregojnë se gjërat po shkojnë në favorin e tij, tha senatori Corker, ndërsa bisedimet për paqen fillojnë në kushte të vështira.
“Aktualisht Assadi po arrin fitore.. ai nuk ka ndaluar bombardimet dhe të dhënat nga fushë beteja tregojnë gjërat po shkojnë në favor të tij. Në bisedimet me opozitën kemi mësuar se janë vënë në një pozitë të vështirë. Kërkesat e tyre humanitare nuk janë materializuar.”
Mohamed Alloush, negociator me opozitën, akuzoi sot qeverinë se ka vepruar në keqbesim. Ai u shpreh se nuk kishte ndryshuar asgjë nga situata në fushëbetejë dhe optimizmi i opozitës nuk mund të ndryshojë për aq kohë sa nuk ndryshon situata.
Rusia nga ana tjetër ka luajtur në rol direkt me fushatën ajrore në mbështetje të forcave të Assadit. Qeveritë perëndimore thonë se sulmet ruse kanë patur në objektiv rebelët. Moska i ka hedhur poshtë këto pretendime. Opozita thotë se sulmet ajrore qeveritare po vrasin popullsinë civile dhe kanë përsëritur kërcënimet për të braktisur bisedimet nëse qeveria siriane nuk ndërmerr hapa për të treguar dëshirën e mirë.
Marrë nga Zëri i Amerikës