DURRËS, 22 tetor 2014– Historia ka treguar shpesh se gjenitë, pothuajse gjithmonë janë keqkuptuar. Sa herë që lind një muzikant, piktor, letrar apo shkencëtar me një talent të veçantë, qasja e parë e shoqërisë ndaj tij është refuzimi. Kjo është sinteza e jetës së një njeriu gjenial, me një inteligjencë të jashtëzakonshme, largpamës për epokën e tij, një shkencëtar që shihte 100 vjet përpara. Shkencëtari vizionar për të cilin ju flas ka qenë Nikola Tesla. Ai lindi në natën ndërmjet 9 dhe 10 korrikut të vitit 1856 në Smilijan, Kroaci. I ati Milutin me origjinë serbe, ishte adhurues i kultit ortodoks. Nëna e tij, Djocetia Mandiç, ishte një rrobaqepëse aftë, por jo e arsimuar, (ama ishte e pajisur me një kujtesë të jashtëzakonshme dhe aftësi krijuese poliedrike). Tesla pohon se ka trashëguar shumë nga nëna e tij, ( e cila recitonte dhjetëra poezi përmendësh dhe citonte pasazhe të tëra nga Bibla) jo vetëm kujtesën fotografike, por gjithashtu dhe kapacitetin për të shpikur e krijuar. Pas përfundimit të studimeve në fizikë dhe matematikë, në Universitetin Politeknik të Gracit në Austri (ndërkohë që studionte filozofi në Universitetin e Pragës), duke mësuar nëntëmbëdhjetë orë në ditë dhe duke fjetur vetëm dy, Nikola ndjente në mënyrë intensive, të njëjtat fenomene të çuditshme të cilat e persekutonin që kur ishte fëmijë. Tesla shihte vazhdimisht fleshet e dritës që ndërhynin në vizionin e tij të vërtetë, por në moshën njëzet e pesë vjeç, këto fenomene u intensifikuan deri në pikën, që ai gjithmonë ndjente të ishte i rrethuar nga fasha të shndritshme. Por këto ngjarje të çuditshme nuk njihen, si raste të vetme në autobiografinë e tij (e cila tashmë konsiderohet e humbur). Aty shkruante se kur ishte ende fëmijë, gjatë natës, udhëtonte në botë të panjohura, ku kryente eksperimente si të ishte në botën e vërtetë, dhe ndërmerrte biseda me qenie që u përkisnin atyre botëve. Atëherë, çfarë ? Nikola Tesla ishte i çmendur?! Jo, Tesla kishte një dhunti mjaft të veçantë. Ai ishte një mendimtar i jashtëzakonshëm, me një dhuratë të rrallë, imagjinatën, që i mundësonte atij, përjetimin e përvojave jashtëshqisore për të gjetur ide dhe përgjigje në mënyrë të pavarur, pa asnjë ndihmë të jashtme. Me fjalë të tjera, sa herë që Tesla mendonte për një shpikje, ai e imagjinonte dhe e shihte përmes fantazisë, me sytë e tij, të gjithë procesin eksperimental dhe fazat e ndërtimit dhe arrinte të kuptonte menjëherë, nëse do të funksiononte apo jo.
Kur mbërriti në Amerikë në vitin1884, ai kishte me vete disa vizatime të një makine fluturuese dhe 4 cent. Dukej si një emigrant i zakonshëm, por pasuria e tij e vërtetë frymonte në mendjen e tij, ku ekzistonte plani për ndërtimin e një gjeneratori me rrymë elektrike alternative dhe të një pajisjeje që të shërbente për të transformuar rrymën alternative në rrymë të vazhdueshme. Falë gjenialitetit të tij, menjëherë filloi të punojë për T. Edisonin, për të cilin ndërtoi 24 lloje të ndryshme dinamosh. Më në fund vendosi të fillonte biznesin e tij personal dhe të zhvillonte projektin e tij për krijimin e gjeneratorit, me rrymë elektrike të alternuar dhe shumëfazësh, që në 1895 gjeti përdorim në të gjitha termocentralet amerikane. Ndërkohë Tesla përflitej si i çmendur, sepse kishte pohuar se ishte në kontakt me universin. Ai publikoi me vështirësi shpikjen e tij, sepse në Amerikë, sapo ishin instaluar të gjitha shtyllat dhe linjat e rrymës elektrike, ndaj instalimi i enegjisë alternative do të provokonte një dëm ekonomik të stërmadh për kompanitë aktuale të kohës të cilat paguanin kredi; atëherë këta industrialistë të mëdhenj paguan Edisonin (tashmë tepër xheloz për gjenialitetin e kroatit), i cili duhet të demonstronte publikisht rrezikun e energjisë alternative. Tesla ishte një njeri krejtësisht i çinteresuar ndaj parave, shpeshherë i ka dhuruar shpikjet e tij sepse siç shprehej dhe vetë; qëllimi i tij ishte publikimi i shpikjeve për të mirën e njerëzimit. Mund të përmendim rastin, kur një industrialist i propozoi Teslës 1.000.000 $ për të përdorur projektin e motorit elektrik; kur ky industrialist konstatoi se s’ishte në gjendje ta paguante shkencëtarin kroat, ky i fundit, grisi kontratën dhe tha se nuk donte asgjë !!
Gjatë gjithë jetës së tij, Nikola ka projektuar mbi 720 shpikje revolucionare, shumë prej të cilave i ka projektuar veç në letër, sepse i mungonin mjetet financiare për t’i realizuar ato. Pas vdekjes së tij, për habinë e të gjithëve, shpikjet e Teslës kanë gjetur realizim të përsosur. Pas vdekjes së tij, shteti amerikan konfiskoi të gjitha shpikjet e inxhinierit kroat, të gjitha këto projekte u bënë Top Secret, siç ishte top sekret i FBI-së dhe dosja e vdekjes së shpikësit, e cila prej pak vitesh është bërë e njohur nga Agjencia Federale Amerikane. Gjatë viteve, emri Nikola Tesla është harruar gjithnjë e më shumë; zbulimet e tij janë pronësuar nga shkencëtarë të tjerë dhe si përfundim, figura e Teslës është shkatërruar. Ai, shpikësi i ‘900-ës, tani është i pranishëm vetëm në disa faqe interneti, sepse edhe librat e historisë i kanë fshirë tashmë, të gjitha gjurmët e inxhinierit të harruar qëllimishtNë vitin 1912, Nikola Tesla fitoi Çmimin Nobel, por shkencëtari e refuzoi atë, duke thënë se disa vite përpara, çmimi Nobel iu akordua Marconi-t për shpikjen e radios, që të gjithë e dinin se ishte shpikur më parë nga Tesla. Një ndër thëniet e tij më goditëse ka qenë: "Shkenca nuk është asgjë, por një shtrembërim pervers, nëse nuk ka si qëllim përfundimtar, përmirësimin e njerëzimit."
/g.b. agjencia e lajmit “Dyrrah”/





