Gjeorgjia dhe Ukraina janë edhe dy skuadrat e tjera që përbëjnë grupin B1 të Ligës së Kombeve, atje ku bënë pjesë edhe ekipi ynë përfaqësues.

Të dyja skuadrat u përplasën me njëra tjetrën në Tbilisi, në sfidën e vlefshme për raundin e pestë të këtij grupi. Një ndeshje shumë e luftuar e cila u mbyll në barazim 1-1.

Ishin fillimisht ukrainasit që surprizuan vendasit që në nisje të garës teksa arritën të zhbllokonin shifrat në minutën e 7-të. Një lëvizje mjaftë e bukur nga e djathta e Mudryk, u finalizua me një krosim të forte drejt qendrës, aty ku i pafat ishte mbrpojtësi gjeorgjian Kvirkvelia, i cili gabimisht e dërgoi topin në portën e tij, për golin e avantazhit për miqtë.

Gjeorgjianët u përpoqën të reagonin por Kvara me shokë e patën shumë të vështirë të gjenin kuadratin e Trubin, falë një mrojtje hermetike të ukrainasve.

Goli i barazimit erdhi shumë vonë, 14 minuta nga fundi ishte Georges Mikautadza, sulmuesi i Lyon, i cili ndodhej në vendin e duhur e në momentin e duhur për të goditur saktë e për të çuar topin në cepin e portës, për rezultatin 1-1.

Një pikë, që i lë të dyja skuadrat me shpresën për të kërkuar kreun e grupit, në 90 minutat e fundit, të cilat do të zhvillohen të marten, aty ku Çekia do të presë Gjeorgjinë, ndërsa Ukraina do të jetë mysafire në Tiranë, aty ku do të përballet me përfaqësuesen tonë kuqezi.