Një projekt i shumë debatuar në të gjithë opinionin publik finalizohet si shembull i parë me ndërtimin e një muzeu,  në shërbim të qytetarëve durrsakë, turistëve dhe të gjithë të apasionuarve pas arkeologjisë. Bëhet fjalë për “Lulishten 1 Maj” në Durrës, ku investitori privat me përgjegjësi qytetare ruajti dhe solli si asnjëherë më parë, një muze të vizitueshëm për publikun, në themelet e pallatit. Në finalizim të këtij projekti  të interesuarit do të kenë mundësi të shikojnë sajtin  ku janë ruajtur  kryqëzimi i  rrugëve të shtruara me gurë dhe anësuar me portikë, trotuare nën portikët, kanale shkarkimi ujërash në të dyja anët e rrugëve, një zbulim i rrallë i periudhës iliro-helene-romake-bizantine.   

Në një intervistë për DurrësLajm profesor Frashëri e vë theksin tek finalizimi me sukses i kësaj pune të gjatë, e cila duhet të jetë si shembull për të gjthë investitorët e ndërtuesit në Shqipëri.

Profesor jemi sërish në “Lulishten 1 Maji”, por këtë radhë në finalizim të projektit të nsiur vite më pare, me çfarë konkluzionesh dalim?

Frashëri: Jemi këtu përpara një dokumenti të gjallë arkeologjik, të ruajtur dhe të konservuar nga gërmimet arkeologjike në Lulishten 1 Maji, të kryera 6 vjet më parë, në vitin 2010. Ky dokument i gjallë është sot një Muze i qytetit, i cili pas pak ditësh do të hapet edhe për edhe për publikun e gjerë vendas dhe të huaj. E veçanta e këtij muzeu është, se ai nuk është një muze që tregon vetëm ekspozimin e gjetjeve arkeologjike me vitrina, por ky muze ngrihet mbi rrugët antike të Dyrrahut, të cilat janë tërësisht origjinale, të trashëguara nga epoka antike e qytetit. Pra ky muze është një Dokument urban i sjellë në dritë nëpërmjet një gërmimi arkeologjik profesional dhe i kthyer në muze.

Në të vërtetë ky është dokumenti themelor i Dyrrahut antik dhe dëshmi shumë e rëndësishme për aktivitetin zejtar të qytetit të kësaj kohe.  Është pikërisht ashtu siç ka ardhur nga epoka,  dëshmi shumë e rëndësishme  origjinale dhe e prekshme.  Projekti ka përmbushur të gjitha kushtet ligjore që janë kryer ndonjëherë në gërmimet arkeologjike në historinë e vendit tonë gjatë 25 vjetëve të fundit. Gërmimi u bë në kuadër të Konventës Evropiane së Valetës,  ligjit Europian të shpëtimit të pasurisë arkeologjike të nëntokës. Në vitin 1992, në kuadër të Boom-it ndërtimor mbas Luftës së Ftohtë, Europa nxori  ligjin që detyron investitorin dhe ndërtuesin që kryen ndërtimin e vet,  të financojë e të përballojë të gjitha shpenzimet për gërmimin arkeologjik profesional të nëntokës që prek, natyrisht kur nëntoka aty përmban substancë arkeologjike. Kjo kërkon që të dokumentohet gjithçka që gjendet në tokë sipas rregullores Europiane.  

Këtë ligj e pranoi edhe vendi ynë në vitin 2008 duke e kthyer në një Rregullore të Arkeologjisë së Shpëtimit, e cila është në fuqi edhe sot.  Rasti i Lulishtes 1 Maji ishte hera e parë që u zbatua ky ligj dhe kjo rregullore. Mjerisht kjo rregullore me përjashtim të ndonjë rasti të mëtejshëm nuk u zbatua më.

Në çfarë etapash e vështirësish kaloi projekti?

Frashëri: Etapat  e kësaj pune janë  të përcaktuara.  Investitori kërkoi  të ndërtojë në Zonën Arkeologjike B në Durrës,  ku lejohet të ndërtohet, por sipas rregullores Europiane,  ai duhet të përballojë financiarisht të gjitha për shpenzimet gërmimin arkeologjik, për konservimet e nevojshme dhe për katalogizimin dhe arkivimin e gjetjeve arkeologjike. Investitori i pranoi këto kushte. Atëhere siç e parashikon rregullorja, gërmimi u krye nga një shoqëri e specializuar private. Por gjithçka u koordinua, organizua dhe kontrollua nga Këshilli Kombëtar i Arkeologjisë pranë Ministrisë së Kulturës, Instituti i Monumenteve të Kulturës dhe  Drejtoria Rajonale e Kulturës Durrës. Këta  3 komponentë shtetërorë koordinojnë , organizojnë dhe marrin vendime mbi fatin e substancës dhe gjetjeve arkeologjike që dalin nga gërmimi.

Së bashku me Agjencinë  e Shërbimit Arkeologjik, ndërtuam projektin (konceptin) e  gërmimit, pasi më parë u konstatua se nëntoka kishte substancë arkeologjike. Gërmimet u kryen në bazë të të gjitha rregullave në fuqi.  Mbi këto gërmime të kryera dhe rezultatet e tyre është botuar ndërkohë edhe një libër i posaçëm në tre gjuhë, ku kushdo mund të shohë se si janë kryer këto gërmime dhe si është ecuria e tyre shkencore dhe administrative. Aty mund të shihet se kush është niveli i kulturës antike që doli në dritë nga këto gërmime

Çfarë është zbuluar në këto themele?

Frashëri: Këtu janë rrugët antike të qytetit të Durrësit që tregojnë se Dyrrahu ka qenë një nga qytetet më të zhvilluara të botës antike mesdhetare. Me siguri juve ju shqetson pyetja, pse nuk u ruajt e gjithë substanca arkeologjike – pjesë e lagjes së zejtarëve të qytetit? Unë ju përgjigjem edhe një herë – që   të ruhej  e të konservohej kjo pasuri,  që ishte dëshira e të gjithëve,  duhej që ky mjedis paraprakisht të shpallej nën mbrojtje të shtetit. Nëpunës të lartë të shtetit dhe të institucioneve, bashkë me specialistë të shumtë erdhën dhe i panë gërmimet. Por as institucionet shtetërore, si psh. Instituti i Monumenteve të Kulturës, dhe asnjë segment tjetër shtetëror përgjegjës për ruajtjen dhe mbrojtjen e monumenteve të kulturës dhe të mjediseve arkeologjike,  nuk e mori  këtë mjedis në mbrojtje, madje nuk e shpalli as në mbrojtje paraprake. Përkundrazi, institucionet shtetërore përgjegjëse që bënë vlerësimin e substancës arkeologjike vendosën dhe lejuan që këtu të ndërtohej, siç u ndërtua në realitet. Ato vendosën që të ruhej bërthama urbane e lagjes, e cila duhej të integrohej brenda ndërtesës. Përveç kësaj u vendosën që të ruheshin dhe konservoheshin të gjitha sipërfaqet e mozaikëve të zbuluara. Duhet përmendur,  se edhe këto detyra ruajtje dhe konservimi u përballuan gjithashtu nga kontributi financiar privat i investitorit. 

Çfarë do të gjejnë këtu vizitorët?

Frashëri: Këtu është prezente  për vizitorin – zemra e vlerave që doli nga ky gërmim.  Këtu është i ruajtur dhe i konservuar përjetësisht,  udhëkryqi i rrugëve të lagjes së zejtarëve dhe të tregtarëve të Dyrrahut antik. Në antikitet Dyrrahu përbëhej nga një qendër urbane aristokratike (religjioze), nga një unazë urbane administrative e qytetit dhe një rreth i tretë ku shtriheshin lagjet e zejtarëve dhe artizanëve, të cilët kishin punishtet, banesat dhe dyqanet e tyre.  Pra hapësira e “Lulishtes 1 Maji”  nuk ka qenë qendra e qyteti antik, por unaza e prodhuesve. Zanatçinjtë në qytet e mëdha antike nuk lejoheshin të punonin në qendër të qytetit, por në unazat periferike të tij.  Pikërisht në këtë Dokument-Muze të “Lulishtes 1 Maji” që kemi para syve, mund të shihen qartë rrugët e kalldrëmta, muret e shtëpive anës këtyre rrugëve, kanalet e shkarkimit anësuar këtyre shtëpive, çezmat e qytetit përgjatë rrugëve, etj, të cilat tregojnë na sjellin në fokus shumë intimitete të jetës së ilirëve të Dyrrahut në kohët arkaike dhe antike. Ky është një dokument origjinal në sytë e vizitorit. Çfarë mund të ketë më shumë një muze modern i natyrës arkeologjike sot.

A mund të ruhej më shumë nga këto gërmime?

Frashëri: Për këtë mund të pyeten  vendimmarrësit. Me siguri pyetja që bëni me dyshim, ka të bëjë me efektet që mjerisht kanë lënë jo pak llafazanë vite me radhë mbi këtë temë , të cilët hiqen si kompetentë të trashëgimisë kulturore, por në të vërtetë kanë për qëllim të shkatërrojnë punën profesionale, që ata vetë nuk e kanë bërë deri më sot, sepse nuk e bëjnë dot. Për rastin konkret unë them që është bërë maksimumi. Profesionistët që kuptojnë nga konservimi arkeologjik dhe që marrin parasysh gjendjen e mjerueshme të shtetit tonë në të gjitha aspektet, duhet të vlerësojnë punën e investitorit privat, i cili si rast i veçantë iu përgjigj me ndjenjë atdhetarie jo vetëm kërkesave financiare të gërmimit, të dokumentimit, të konservimit arkeologjik, por pranoi të sakrifikonte të gjitha hapësirat e garazheve në themelet e ndërtesës së tij, për hir të një muzeu.  E gjitha është bërë  pa asnjë mbështetje nga shteti, por vetëm me të ardhurat e financimet e tij. Besoj, se shumë segmente të shtetit do të befasohen se si është ruajtur ky sajt.

A ka një muze të tillë në Shqipëri ?

Frashëri: Ky është muzeu i parë që vjen nga gatishmëria e investitorit privat për të ruajtur një dokument të historisë në këto përmasa historike dhe financiare. Në Durrës janë ndërtua 149 pallate në zonën A dhe B gjatë këtyre dy dekadave të fundit, por jo më shumë se dy-tre investitorë të tjerë privatë kanë pranuar (financuar) të bëhet gërmimi dhe dokumenti arkeologjik në nëntokën ku është ngritur ndërtesa e tyre, dhe aq më pak konservimi i tyre muzeor. Të tjerët i kanë zgavruar gropat e ndërtimit duke e hedhur të gjithë substancën arkeologjike në plehrat jashtë qytetit. Ky është rasti i parë deri tani që të ruhet dhe konservohet një pjesë e gërmimit të shpëtimit.  Një muze i tillë  është simbolik dhe pararendës, sepse tregon kulturën e shoqërisë dhe të investitorëve tanë privatë bashkëkohorë. Përveç kësaj kjo është edhe një piketë për mundësinë e zhvillimit dhe nivelit të arkeologjisë së shpëtimit në Shqipëri. Sot Durrësi ka një muze në vendin ku u tha se u shkatërrua çdo gjë. Ne mendojmë që shpejt do të sillen këtu edhe objektet arkeologjike  e të vendosen në vitrinat përkatëse, të cilave u është lënë vendi në muret e muzeut.

Profesor, sa i ka plotësuar investitori kërkesat e Ministrisë së Kulturës, në lidhje me këtë sajt të zbuluar?

Frashëri: Të gjithë njerëzit e ndershëm që kanë punuar në këtë sajt e dinë fare mirë, se si investitori ashtu edhe arkeologët kanë plotësuar të gjitha kushtet e vëna nga ministria dhe institucionet e tjera me korrektesën e parashkruar ligjore . Janë zbatuar të gjitha kërkesat dhe vendimet e Këshillit Kombëtar të Arkeologjisë. Nuk duhet harruar se investitorët kanë pritur gati 2 vjet pas shumë sorrollatjeve të merrnin vendimin për ndërtimin që i siguronte ligji, pasi i kishin kryer detyrimet e tyre. Shteti ynë nuk është i përgatitur për të tilla veprimtari, që të zbatojë ligjin përpara arkeologëve dhe investitorëve privatë. Edhe sot që flasim nuk ka asnjë përkrahje nga shteti për ndërtimin e këtij muzeu, megjithëse në fund të fundit, ai është një vepër për interesa kombëtare. Të gjithë mundim dhe shpenzimet duhet t’i përballojë investitori privat dhe arkeologët e një shoqërie private.

 

Dy fjalë për profesor Gjergj Frashërin

Profesor Gjergj Frashëri  i cili botoi edhe  një libër  pas zbulimeve të bëra në Lulishten 1 Maji me titull: “Dyrrahu ilir dhe Gërmimi arkeologjik në Lulishten 1 Maj”.   Në 726 faqet e këtij libri, shoqëruar me 530 foto dhe katalogut prej 98 tabelash të gjetjeve arkeologjike ku përfshihen 1002 foto të tyre, shfaqet një trajtesë me përmasa madhore për nga premtimet dhe me rezultate të papritura (befasuese) shkencore. Për herë të parë në këtë vepër është përmbledhur, filtruar dhe analizuar i gjithë dokumentacioni historik, bibliografik , arkivor, gjeologjik, etj. për historinë e Durrësit qysh prej fillesave të tij si vendbanim në lashtësi (Epidam), themelimit të tij si qytet arkaiko-antik (Dyrrah) dhe zhvillimeve të tij në mesjetë (Durrës).