Megjithëse e ka prej kohësh kufirin e të 80-ve, portreti i tij, gjallëria që ai transmeton, angazhimi i përhershëm në jetën artistiko-kulturore të qytetit të bëjnë të mos e besosh një gjë të tillë. Pak pasi festoi ditëlindjen e tij të 84-ërt ai u rezervoi një surprizë lexuesve duke sjellë për ta jo një, por dy libra. Romani “Kulla e zhabinëve” dhe vëllimi me tregime “Tregim i ëndërruar” janë dy veprat më të fundit që shkrimtari, përkthyesi dhe regjisori Gjergj Vlashi ka hedhur së fundmi në treg.
Kushdo mund të mendonte se pas kësaj do të bënte pak pushim, por jo… Vlashi “refuzon” të pushojë dhe të shijojë pensionin ashtu si shumë bashkëmoshatarë të tij. Ndër duar ka dy libra të tjerë, një me tregime të shkurtra dhe një roman, “Shpella e kaltër”, ngjarjet e të cilit vendosen në Shqipërinë e viteve 1943-1944, pak pas kapitullimit të Italisë Fashiste dhe pushtimit të vendit nga trupat gjermane.
Po ndërsa i është përkushtuar krijimtarisë letrare ai nuk mund të lërë aspak pas dore përkthimin. “Ditari i Kafkës” është vepra më e fundit që ai ka ndër duar. Ndërsa është i pari shqipërues i Kafkës së madh, ai duket se nuk do të ndahet kaq lehtë nga shkrimtari çek. Vlashi tregon se është në kontakte me disa shtëpi botuese dhe pret të marrë aprovimin e tyre për nisjen e përkthimit.
Ndërsa bisedojmë më premton se për “Dyrrah” do të përkthejë eskluzivisht dy faqe të ditarit të Kafkës, ku shkrimtari çek hedh në letër mbresat e tij pas një shfaqjeje teatrale të Aktorit të njohur shqiptar “Aleksandër Moisiu”. Nisur nga këto fletë ditari Vlashi ka marrë spunton të shkruajë tregimin “Në dyert e teatrit” ku fantazon për një takim imagjinar mes dy kolosëve, njërit të letrave dhe tjetrit të skenës.
Pas botimit të 16 librave, ndër të cilët pesë romane, gjashtë vëllime me tregime dhe pesë libra për fëmijë dhe pas shkrimit të disa skenare filmash pena e Vlashit nuk di të ndalet. Ka shumë shkrime të tjera që janë në formën e dorëshkrimeve e që presin që ai t’i zërë me dorë e t’u japë formën përfundimtare para se t’i çojë për botim.
Me pak fjalë dita e tij është shumë e ngarkuar ashtu siç ka qenë e gjithë jeta e tij e ndarë mes skenës, artit, librave (shokëve të tij të pandarë) dhe tryezës së shkrimit. Kur nis bisedën me Gjergj Vlashin nuk di për çfarë ta pyes më parë sepse kontributi i tij në fushën e artit për më shumë se 60 vjet nuk ka qenë në një fushë të veçantë, por e shkrirë dhe e sinkronizuar në disa njëherazi.
Përkthimet
Përkthimi ka qenë ndoshta kontakti i tij i parë dhe i drejtpërdrejtë me letërsinë dhe me artin në përgjithësi. Ka nisur ta bëjë këtë gjë që në moshë fare të re, 15 vjeç, dhe vazhdon ta bëjë dhe sot e kësaj dite kur kanë kaluar gati-gati 70 vjet që nga ajo kohë. Autori francez Gi dë Mopasan ishte i pari që i bëri përshtypje dhe që e nxiti të merrte penën dhe të niste të shqipëronte.
Që nga ajo kohë kanë kaluar shumë ujëra dhe me penën e tij Vlashi ka kaluar nëpër kontinente të ndryshme dhe rryma të ndryshme letrare duke prekur autorët klasikë apo ata sovjetikë, për t’u hedhur më pas nga realizimi magjik tek ekzistencializmi. Megjithëse ishte një shkrimtar i ndaluar në vendin tonë, kontaktin e parë me Kafkën Vlashi e ka pasur që në mesin e viteve ’80. Kujton se novelën e Kafkës “Metamorfoza” e siguroi përmes regjizorit Tef Rroqi, që në ato vite punonte në estradën e Peshkopisë.
Megjithëse mund të rrezikonte nëse dikush do t’ia diktonte ai e mori dhe e çoi në shtëpinë e tij librin. Më pas në vitin 1991 do të ishte i pari që do të sillte para lexuesit të shqipëruar shkrimtarin me origjinë hebreje. “Metamorfoza” dhe “Në koloninë ndëshkimore” do të botoheshin në revistën “Bota letrare”, ndërkohë që vlashi më pas do të vijonte përkthimin e romanit “Procesi” dhe të gjithë prozën e shkurtër të tij.
Pak pasi festoi ditëlindjen e tij të 84-ërt ai u rezervoi një surprizë lexuesve duke sjellë për ta jo një, por dy libra. Romani “Kulla e zhabinëve” dhe vëllimi me tregime “Tregim i ëndërruar” janë dy veprat më të fundit që shkrimtari, përkthyesi dhe regjisori Gjergj Vlashi ka hedhur së fundmi në treg
“Fakti që jam marrë për një kohë të gjatë me përkthime dhe kontaktet e vazhdueshme që kisha me drejtues të bibliotekave të ndryshme më kanë ndihmuar që të bija në kontakt edhe me libra të ndaluar në atë kohë. Kujtoj se biblioteka e universitetit apo ajo e ndërmarrjes së botimeve “Naim Frashëri” kishin në arkivin e tyre edhe këto libra, që megjithëse nuk ishin për përdorim të gjerë, “strehoheshin” në disa ndarje raftesh”,- thotë Vlashi.
Pas viteve ’90 gjërat do të ndryshonin. Krahas lirisë së fjalës dhe të mendimit nuk kishte më kufizime përsa i përket veprave që do të përktheheshin. Por përveç lirisë për të përkthyer shkrimtarë që kishte përzemër fati i rezervoi Vlashit mundësinë e takimeve me disa prej tyre. Ai kujton me kënaqësi takimin me nobelistin Jose Saramago apo me romancierin spanjoll Camilo Jose Cela, njëkohësisht dhe ky fitues i çmimit Nobel. Krahas thuajse përkthimit të të gjithë veprës së Kafkës, Vlashi ka shqipëruar tre antologji të tregimit të shekullit XX nga letërsia hispanoamerikane, austriake dhe spanjolle.
Nga ana tjetër ai ka sjellë për lexuesin shkrimtarin e njohur italian Dino Buxati, i cili për nga mënyra e të shkruarit të përngjet me Kafkën e për këtë u fut shpejt ndër të preferuarit e Vlashit. Si një ekspert i fushës së përkthimeve Vlashi nuk nguron të thotë fjalën e tij për cilësinë e shqipërimeve në ditët tona duke u shprehur me nota kritike për shumë prej tyre. “Vepra e parë e gjuhës shqipe është një përkthim; “Meshari i Gjon Buzukut”. Dhe më pas ne kemi përkthime shumë cilësore nga Noli, Mitrush Kuteli, Petro Zheji, Vedat Kokona, Robert Shvarc etj. Është fatkeqësi të prishësh një traditë të bukur gjuhësore që e kemi trashëguar prej shekujsh”,- thotë Vlashi.
Sipas tij mungesa e redaktorëve dhe korrektorëve gjuhësorë po e dëmton mjaft cilësinë e përkthimit. Nga ana tjetër ai fajëson edhe shtëpitë botuese që ia besojnë përkthimin e librave personave jo kompetentë për këtë punë. “Për të realizuar një përkthim cilësor duhet të njohësh mirë jo vetëm gjuhën nga e cila përkthen, por edhe gjuhën tënde e për më tepër duhet të kesh aftësi krijuese”,- thotë Vlashi
Një jetë në skenë
Ndërsa shumë prej nesh do ta përfytyronin Gjergj Vlashin pas tryezës së tij të shkrimit, apo të përhumbur mes librave të bibliotekës së tij gjigande duke lexuar librin e fundit që ka shtënë në dorë ata që e kanë njohur në skenë e kujtojnë si regjisorin e parë të estradës profesioniste të qytetit të Durrësit, ku vazhdoi punë derisa doli në pension në vitin 1990. Angazhimi i tij në artin skenik ka qenë mjaft i hershëm, që në vitet kur nisën të ngriheshin grupet e para amatoriale në qytetin bregdetar.
Krahas estradës atij i njihet merita edhe për krijimin e trupës së parë të Teatrit të Kukullave në qytet. Gjatë karrierës së tij të gjatë në këtë fushë të artit ai kujton me nostalgji bashkëpunimet me shumë nga emrat e njohur të skenës shqiptare si të madhin Nikolin Xhoja, me të cilin e lidhte një miqësi e veçantë, me të pavdekshmin Tano Banushi apo me Aleko Prodanin, aktorin e njohur korçar.
“Shpesh kur punoja me këta emra të mëdhenj ndihesha paksa në siklet,- kujton Vlashi,- pasi duhet të mendohesha dy herë kur u bëja sugjerime lidhur me rolin. Ata ishin të mëdhenj në gjininë e tyre e prej tyre mësoje shumë. Nikolin Xhoja nuk kishte bërë shkollë, por ai krijoi shkollë”. Krahas tyre ai kujton punën me Aishe Starin, Kadri Pirron, Fadil Hasën apo Muharrem Hoxhën e të tjerë që i dhanë jetë estradës së Durrësit.
Pengu i tij i vetëm për këtë institucion të cilit iu përkushtua për rreth 30 vjet ishte se dy vjet më parë, kohë kur estrada festonte 50 vjetorin e krijimit nuk u organizua asnjë ceremoni, të mbahej ndonjë takim apo të ndahej ndonjë çmim në nderim të gjithë atyre emrave të njohur që kontribuan në ngritjen dhe funksionimin e saj.
Duke iu referuar asaj se çfarë regjizori Vlashi solli me punën e tij në estradën e Durrësit dhe jo vetëm autori Josif Papagjoni, në enciklopedinë e tij “Teatri dhe kinematografia shqiptare” thotë: “Nga mënyrat e trajtimit, jo rrallëherë koncepti i tij regjizorial e çonte enkas fjalën dhe veprimin e personazheve komikë si dhe argumentet që ata sillnin deri në pakuptimësi, në paradoks, madje në absurd, duke e bërë, rrjedhimisht, të paqendrueshme pozitën e tyre, në dukje “superiore” e të “llogjikshme”.
Gjergj Vlashi dinte të zbulonte aftësitë e fshehura të aktorëve, duke i çuar ata drejt gjendjeve të frymëzimit artistik dhe ripohimit të natyrshëm të vetvetes si “lojtarë” të vendosur mirë në skakierën e skenës… Megjithëse i ngulur në pikat kulmore, koncepti i tij regjisorial ishte i natyrës gjithëpërfshirëse, në sensin e mbulimit të të gjithë hapësirës kuptimore të tekstit letrar dhe të shfaqjes, me detajet, figurat dhe spikamat gjegjëse regjisoriale”. Pjesët më të suksesshme të vëna në skenë nga Gjergj Vlashi kanë qenë: “Shëtitje nëpër Durrës”, “Takim me pranverën”, “Fletërrufe”, “Kalitja”, “Zjarr mbi thashethemet”, “Rrugë të mbarë shoku Xhemil”, “Ne jemi tre”, “Ju lutem buzëqeshni”, “Humor partizan” etj.
Edhe pas daljes në pension Vlashi ka vijuar të jetë aktiv në teatër qoftë me përkthime pjesësh të ndryshme për regjizorë të tjerë, por qoftë edhe me pjesë të tijat. Kështu trupa e teatrit “Aleksandër Moisiu” para disa vitesh shfaqi komedinë e tij “Dy vëllezër e gjysëm”, ndërsa teatri i kukullave me pjesën për fëmijë “Zemërimi i komçave” të shkruar nga ai fitoi çmimin e parë në festivalin e vitit 2007 në Pogradec.
Pjesëmarrjen në festivalin ndërkombëtar të teatrit eksperimental në Kajro, ku ishte ftua të mbante një kumtesë “Regjisura në shekullin XX” Vlashi e kujton si një eksperiencë mjaft pozitive, pasi krahas punës voluminoze që ju desh të bënte për të sjellë një panoramë të zhvillimeve teatrore në vende të ndryshme si dhe të rrymave të ndryshme që karakterizuan shekullin që lamë pas ai nënvizon se u ndje mirë kur krahas eksperiencës botërore solli para një audience të madhe edhe një përmbledhje të shkurtër të ecurisë së teatrit në vendin tonë.
Si u ndalua “Klithmat e natës”
Megjithëse ka vënë në skenë më shumë se 100 premiera shfaqjesh teatrale dhe estrade Vlashi thotë se nuk ishte e lehtë të punoje në atë periudhë. Kjo për faktin se çdo vepër kalonte në një sitë të madhe seleksionimi dhe fare lehtë mund të gjendeshin elementë për t’u sulmuar. Ai kujton se e ka ndjerë veten në rrezik pas kritikave dhe ndalimit që ju bë një shfaqjeje të tij.
Drama “Klithmat e natës”, të cilën Vlashi e vuri në skenë në teatrin e Korçës kishte në qendër të saj personazhe komplet të kundërt. Nga njëra anë ishin disa gra dhe vajza shqiptare që ishin dërguar në kampet e përqendrimit të nazistëve dhe që pas shumë peripecish ishin kthyer në atdhe, ndërsa nga ana tjetër ishin disa ushtarë gjermanë të rënë rob dhe që prisnin të riktheheshin në vendin e tyre. Takimi mes këtyre dy grupeve ndodhi në një hotel në kufi të vendit.
Aty njëra nga gratë kupton se njëri nga ushtarët gjermanë ishte një oficer nazist që e kishte torturuar kohë më parë. “Megjithëse shfaqja më dukej e mirë ajo u kritikua mjaft në atë kohë për deheroizim të personazheve, akuzë e fortë për atë kohë. Mbaj mend që kam qenë goxha i shqetësuar në atë periudhë, por për fat të mirë shfaqja vetëm u pezullua dhe nuk u vu më në skenë, ndërkohë ndaj meje nuk morën ndonjë masë tjetër”,- kujton Vlashi.
Fati i Minush Jeros, kolegut të tij dhe autorit të dramës fatkeqe “Njollat e murrme”, tregonte se sa e pashpirt mund të ishte diktatura ndaj artistëve dhe krijuesve në ato vite.