·        Komunikatën e shtypit për nënshkrimin e kontratës koncesionare nga ministri Sokol Olldashi e bën fituesi i tenderit dhe jo dikasteri shqiptar

DURRËS, 16 maj 2013 – Pas turqve të Kurum-it janë gjermanët e një kompanie të specializuar transporti detar që marrin në dorë “çelësat” e portës për mësymje drejt Ballkanit jugor, ky lajm po bën xhiron e botës, por jo të Shqipërisë. 

Kompania gjermaneEMS Shipping & Trading GmbH, Leer, ka fituar tenderin për Terminalin e ri Lindor në portin e Durrësit, njoftoi zyra e shtypit e kësaj kompanie të transportit detar, ndërkohë që është mbajtur heshtje nga dikasteri përkatës.

Javën e kaluar Sokol Olldashi, Ministër i Punëve Publike dhe Transportit, si dhe Manfred Myler (Müller), administrator i EMS-së, nënshkruan kontratën e koncesionit për Terminalin Lindor të portit të Durrësit, thotë EMS-ja.

Oferta u paraqit 22 janar 2013 dhe u nënshkrua më 6 maj, thotë kompania.

Kohëzgjatja e koncesionit është 35 vjet.

“Ne e konsiderojmë vendimin si një votëbesim të madh.

“Porti i Durrësit tashmë sot është një nga portat kryesore drejt Ballkanit jugor dhe jemi të bindur se në vitet e ardhshme Durrësi do të marrë rëndësi edhe më të madhe.

“Terminali i ri Lindor do të luajë rol të rëndësishëm në këtë proces”, tha Manfred Myler gjatë nënshkrimit të kontratës.

Terminali do të vihet në funksionim nga kompania e sapoformuar EMS Albanian Port Operator Shpk (EMS APO), filial me të drejta të plota i kompanisë EMS Shipping & Trading GmbH.

EMS APO do të marrë në dorëzim Terminalin Lindor në muajin në qershor.

Terminali Lindor është përdorur kryesisht për minerale, qymyr, skrap dhe mallra të tjera.

Deri tani qarkullimi i këtyre mallrave është penguar në mënyrë të konsiderueshme nga një infrastrukturë joadekuate.

“Në vitet e ardhshme EMS-ja do të investojë disa miliona euro në infrastrukturën dhe ndërtimin e Terminalit Lindor, për ta shndërruar në një terminal modern dhe me efecient nga pikëpamja e kostos”, bëri të ditur Manfred Myler.

Një nga projektet kryesore është ai i thellimit të kanalit të lundrimit 11 metra për të përpunuar kështu anije me tonazh deri në 55 mijë tonë.

Terminali ka një zonë magazinimi prej më shumë se 200 mijë metra katrorë, dy kalata me gjatësi gjithsej 430 m dhe do të jetë në gjendje të përpunojë dy anije supramaks (anije me kapacitet transportues 50-60 mijë tonë).

Përveç kësaj, EMS-ja do të investojë në pajisje moderne si vinça, pajisje terminali dhe ndërtesa për zyra.

Në fazën e parë EMS APO planifikon një vëllim pune prej më se një milion tonë në vit.

Pas përfundimit të thellimit, rentabiliteti do të arrijë në më se 2 milionë tonë në vit.

EMS APO do të ketë një personel prej rreth 100 vetash me drejtori gjermane. EMS-ja është tashmë aktive në Durrës që nga viti 2009 me dy filialet e saj atë të ngarkim-shkarkimit Albanian Stevedoring Company dhe agjencinë gjermane-shqiptare të logjistikës GALA (German Albanian Logistics Agency shpk).

/th. m. Agjencia e lajmeve “Dyrrah”/