5 qershor 2015 – Në qendrën e strehimit të refugjatëve në qytetin e Hammit në Landin e Vestfalië, shumica e azilantëve të ardhur në muajin maj nuk ishin refugjatë politikë, të ardhur nga vende në luftë si Siria, Libia dhe Iraku. Azilantët ishin nga vende të konsideruara si të sigurta. Shumica e tyre janë kosovarë, shqiptarë të Preshevës, shqiptarë të Maqedonisë dhe sidomos shqiptarë nga Republika e Shqipërisë.

Sipas gazetarit gjerman, trafikantët kanë vënë në shenjestër Shqipërinë duke ua mbushur mendjen njerëzve të shesin sendet e shtëpisë, bagëtinë, mekanikën bujqësore dhe të blejnë biletat e udhëtimit për në “parajsën” gjermane, ku kërkojnë azil ekonomik. Për ta, shansi për të fituar azil është më pak se 1%, por gjithsesi vendimi përfundimtar për kërkesën për azil merret pas disa muajsh, kështu që shqiptarët kanë mundësi të përfitojnë ushqim, fjetje dhe shërbim mjekësor falas dhe pak euro në formën e parave të xhepit. Në kampin e strehimit në qytetin e Hammit do të strehoen 100 azilkërkues të rinj përgjatë muajit qershor, përveç atyre të strehuar në muajin maj. Vetëm në 4 ditët e para të qershorit kanë mbërritur 22 azilkërkues shqiptarë.

Në rastin e kampit në Hamm gjermanët nën presionin e OJF-ve, që mbrojnën të drejtat e njeriut, kanë marrë masa duke instaluar banesa tip kontejner. Këto banesa janë shumë më të përshtatshme sesa ish-kazermat e Bundeswerit të kohës së Luftës së ftohtë, ku mungonte privatësia dhe kishte shumë pak tualete e dushe për azilkërkuesit e strehuar në to. Banesat kontejnerë ofrojnë privatësinë për azilantët si edhe tualet e dush për çdo familje apo grup-personash të strehuar në një banesë të tillë. Siç duket edhe nga fotoja, banesat kontejner janë të pajisura edhe me antena satelitare, kështu që azilkërkuesit mund të shohin kanale televizive të vendit nga vinë, në gjuhën e tyre amtare.

Linku: https://www.wa.de/hamm/bootsfluechtlinge-kommen-nicht-nach-hamm-5070826.html

/Gjergj Thanasi agjencia e lajmeve “Dyrrah”/