Brazil, 13 korrik 2014 – Gjermani-Argjentinë, akti i tretë. “Albiceleste” dhe “Nationalmannschaft”, njëra kundër tjetrës për një finale Botërori. Një nga Botërorët më të pabesueshëm të historisë parashikon si akt përfundimtar një kryqëzim mes dy kombeve, me një “miks” kujtimesh për një sfidë që konsiderohet shkalla më e lartë e futbollit. Më 1986-n, Argjentina fitoi në finale ndaj Gjermanisë në Meksikë, katër vjet më pas, gjermanët u shpallën Kampionë Bote, duke mundur “Albiceleste”-n në Itali ’90. Tani është koha për sfidën e tretë finale të radhës, vë përballë talentet më të mirë europianë kundër atyre amerikanolatinë, me Argjentinën që ëndërron të mbizotërojë në tokën e kundërshtarëve të përjetshëm brazilianë. Është edhe rasti për Lionel Mesin, për të hyrë përfundimisht në “Panteonin” e të mëdhenjve: ka fituar gjithçka në nivel klubesh, ka fituar katër “Topa të Artë” dhe tani synon të barazojë Diego Maradonën, duke udhëhequr Argjentinën drejt fitores së Kupës së Botës. “Pleshti”, në këtë Botëror, ka qenë vlera e shtuar për kombëtaren e Sabejës: katër gola, një pasim vendimtar për Di Marian për golin e fitores në kohën shtesë kundër Zvicrës. Ylli i Barcelonës ama rrezikon të mos ketë mbështetjen e shokut të tij për dëmtimin e pësuar ndaj Belgjikës, që e detyroi lojtarin e Real Madridit të mungojë në gjysmëfinalen kundër Holandës. Di Maria ka provuar të stërvitet në përpjekjen e dëshpëruar për t’u riaftësuar “in extremis”. Ndryshon diskutimi për Agueron, në listë për një fanellë titullari sot pas aktivizimit të tij ndaj “portokallinjve” dhe problemeve muskulore tashmë të kaluara.

Gjermania është në gjueti të Botërorit të tretë në historinë e saj dhe vjen nga fitorja triumfuese 7-1 ndaj Brazilit në gjysmëfinalen tjetër të zhvilluar në Belo Horizonte: një sukses që u ka dhënë morale lojtarëve të Lëbit në ndeshjen më vendimtare në Brazil 2014. Për gjermanët, finalja përfaqëson aspektin maksimal të rinovimit të nisur pas ecurisë shkatërruese në Euro 2000: deri tani shumë duartrokitje, por asnjë trofe, por kundër Argjentinës nisen favoritë falë goleadës kundër “Seleçaos” dhe dy precedentëve me amerikanolatinët (fitore me 11-metërsha në 2006-n dhe 4-0 në Afrikën e Jugut 2010). Gjermania është si një “avion bombardues”, e plotë në çdo repart dhe pa pika të dukshme të dobëta. Pa një yll të kalibrit të Mesit apo Nejmarit, “punëtorët” dhe “të disiplinuarit” i kanë besuar Tomas Mylerit: “bomberi” i Bajernit ka shënuar pesë gola deri tani në këtë Botëror dhe është në “pole” për “Këpucën e Artë”, së bashku me Xheims Rodriguez. Ndër të tjera, nuk ka humbur asnjëherë kur është ndeshur përballë Mesit. Lëv do të zbresë në fushë të njëjtën 11-she që shkatërroi Brazilin, duke synuar të bëhet kombëtarja e parë europiane që mund të fitojë Botërorin në një vend amerikanolatin.

Italiani Rizzoli gjykon ndeshjen e madhe

Finalja do të drejtohet nga arbitri italian Nicola Rizzoli. 42-vjeçari italian drejtoi edhe finalen e UEFA Champions League mes Bayern Muenchen dhe Borussia Dortmund në vitin 2013, ndërsa gjatë këtij botërori është kritikuar nga trajneri i Belgjikës, Marc Wilmots pas humbjes në çerekfinalen kundër Argjentinës. Kjo është hera e tretë që Rizzoli do të drejtojë një ndeshje të botërorit 2014 pas Spanjë-Holandë  dhe Argjentinë-Belgjikë. Për t’u emëruar gjyqtar i finales, Rizzoli mundi konkurrencën e uzbekut Ravshan Irmatov, por ky i fundit nuk ka një ekip asistentësh që të punojnë prej kohësh me të.

Lëv: Ne jemi më të fortë, nuk dua 11-metërsha

Joakim Lëv është optimist. Trajneri i Gjermanisë është i bindur se kombëtarja e tij është më e fortë se ajo e Argjentinës. “Argjentina, – tha ai. – Nuk është vetëm Mesi dhe ne nuk kemi frikë aspak nga ata. Janë më të fortë se 4 vjet më parë, por ne jemi një skuadër më e fortë dhe nëse luajmë siç dimë, nuk do të ketë histori. Do të jetë një kënaqësi e dyfishtë nëse fitojmë, duke parë se asnjë kombëtare europiane nuk ka fituar asnjëherë në Amerikën Latine. E përsëris, Mesi është më i miri, por nuk duhet të mendojmë vetëm për të. Jam i sigurt se do të jetë një betejë e bukur”. Lëv u trembet 11-metërshave: “Shpresojmë ta mundim Argjentinën para goditjeve nga pika e bardhë”.

Blindohet Rio, 25 mijë forca policie në stadium

Autoritetet braziliane deklarojnë se po planifikojnë operacionin më të madh të sigurisë në Rio de Zhanejro për finalen e Kupës së Botës që do të luhet sot.Mbi 25 mijë forca sigurie do të vendosen në qytet për ndeshjen finale që do të luhet mes Gjermanisë dhe Argjentinës.Krerë të shteteve të ndryshme, përfshirë Kancelaren gjermane, Angela Merkel, dhe Presidentin rus, Vladimir Putin, do të ndjekin ndeshjen e shumëpritur.Rreth 75 mijë tifozë pritet ta ndjekin këtë ndeshje që do të luhet në stadiumin “Maracana”, ndërkohë që në operacionin e sigurisë do të angazhohen policë, ushtarë e zjarrfikës, ndërsa 25 anije do të monitorojnë bregun e qytetit.“Ky do të jetë operacioni më i madh i sigurisë që vendi ynë ka ndërmarrë ndonjëherë”, deklaroi një zyrtar i qeverisë lokale, Jose Mariano Beltrane.

Numri i agjentëve të sigurisë është i barabartë me një të tretën e të gjithë tifozëve që do të ndjekin takimin brenda stadiumit.

Finalja me vlerë 1 miliard euro

Aktualisht, “pancerat” nuk janë më kot edhe skuadra më e shtrenjtë e turneut, me një vlerë prej 542.5 milionë eurosh. Kjo përfaqësuese nuk mund të mburret me një yll të vetëm, si në rastin e rivalëve të Argjentinës që kanë në përbërje të tyre Lionel Mesin, futbollistin më të shtrenjtë në qarkullim, me një vlerë prej 120 milionë eurosh, por mund të krenohen me një grup, me një bllok bavarez që e lakmon e gjithë bota. Lojtari më i shtrenjtë është pa dyshim sulmuesi Tomas Myler, një profesionist i kompletuar, një lojtar total që di të mbulojë disa role mes mesfushës dhe sulmit, një “pancer” (tank) i vërtetë. Por prapa tij vijnë edhe yje të tjerë, si portieri Nojer për shembull, me një vlerë gjithashtu të përafërt me 50 milionë eurot (49 saktësisht), por edhe të tjerë si Ozil, Gëce e Kros që vlerësohen në këto shifra të përafërta (nga 45-50 milionë euro). Nga ana e saj, Argjentina, dy herë kampione bote, mund të ekzaltohet vetëm me faktin se kanë repartin ofensiv më të shtrenjtë në qarkullim, me Mesin (120 mln), Di Marian (30), Agueron (45), Palasion (12), Higuainin (38) dhe Lavecin (21) që kapin vlerën 266 milionë euro. Vetëm këta lojtarë mbajnë peshën e dy të tretave të vlerës së grupit, i cili në total vlerësohet 392 milionë, duke ofruar kështu një finale që i afrohet shifrës marramendëse të 1 miliard eurove (saktësisht 934.5 milionë, sipas transfermarkt). E vetmja finale që do kushtonte më shumë sesa kjo e “Marakana”- së do të kishte qenë ajo mes Gjermanisë dhe “seleçao”-s (469.5 milionë euro), gjysmëfinalja që terrorizoi sportdashësit brazilianë.
 

Merkel

“Argjentina nuk duhet nënvlerësuar, por unë vë bast te fitorja.” Në prag të finales së madhe të Botërorit kundër Mesit me shokë, Kancelarja gjermane, Angela Merkel, shpreson që kombëtarja e saj të përsëritë suksesin e katërt në histori pas trofeve të fituar më 1954-n, 1974-n dhe 1990-n. Mundësi kemi, por nuk do të jetë e lehtë”, shtoi ajo.

Murinjo

Hoze Mourinjo refuzon stolin e Brazilit. Sipas gazetës spanjolle “Marca”, trajneri portugez i Çelsit paska marrë një ofertë nga ana e Federatës Braziliane të Futbollit për të zëvendësuar teknikun aktual Felipe Skolari, i cili vjen nga dështimi në Botëror. Murinjo ka dashur ta vazhdojë aventurën e tij te Çelsi, pasi kërkon të fitojë gjithçka me skuadrën londineze.

Brazili

Një bisedë e rastësishme e regjistruar nga kamerat e FIFA-s para konferencës për shtyp për ndeshjen me Holandën, tregon trajnerin e Brazilit, Luis Felipe Skolari, i cili paska thënë se Brazili mund të kishte shënuar katër gola në 10-minutëshin e parë të pjesës së dytë ndaj Gjermanisë, me rezultatin që do të shkonte 5-4. “Ne kishim katër raste për gol në 10 minuta, ndaj mund të shënonim.”

Sabeja

Alehandro Sabeja nuk do të jetë më trajneri i Argjentinës në përfundim të Botërorit, pavarësisht nëse kombëtarja “Albiceleste” do të triumfojë ose jo në finalen me Gjermaninë. Lajmin e bën të ditur menaxheri i trajnerit amerikanojugor, Euxhenio Lopez, i cili tha se Sabella ka vendosur të lërë kombëtaren pas Botërorit, edhe nëse arrin fiton trofeun e tretë në histori.

Tragjedia

Nga drama (sportive) e një vendi, në dramën (e vërtetë) të një familjeje: një vajzë 15-vjeçare nga Nepali ka vrarë veten në dhomën e saj, pas humbjes 7-1 të Brazilit kundër Gjermanisë. Vajza, tifoze e thekur e “Seleçaos”, është tallur nga miqtë e saj dhe kjo gjë e ka shndërruar në një dëshpërim të thellë. Ajo ka shkruar edhe një letër para tragjedisë, ku shpjegonte arsyet.

/agjencia e lajmeve "Dyrrah"/