Kancelarja gjermane Angela Merkel, përballë protestave në rritje nga Evropianët Patriotë kundër Islamizimit të Perëndimit (PEGIDA), ka ashpërsuar tonet kundër kundër emigracionit, duke deklaruar se nuk do t’u jepet azil atyre që shkelin ligjet e vendit.

Gjatë ditëve të fundit, zonën përreth stacionit qëndror të trenave, në Këln, janë regjistruar disa raste, ku gratë edhe vajzat janë bërë objekt i akteve të dhunës, kryesisht grabitje dhe ngacmime seksuale. Hetimet kanë dëshmuar se 20, nga 32 personat e dyshuar, ishin refugjatë dhe emigrantë që kishin kërkuar azil.

Kjo solli zhvillimin edhe të një proteste sot në Këln, ku 1 700 policë kishin dalë për të garantuar rendin publik. Ndërkohë, kancelarja Merkel, teksa ka kuptuar indinjatën që zien mes njerëzve, është treguar e ashpër gjatë një takimi të Bashkimit Kristian-Demokrat (CDU), ku ka deklaruar se “refugjatët dhe emigrantët që kryejnë krime do ta humbasin të drejtën e azilit.”

Aktualisht, në Gjermani, azilantët kthehen në vendlindje vetëm nëse kryejnë krime, për të cilat dënohen me më shumë se tre vjet burg. Por, një nismë e re ligjore pritet të thjeshtojë riatdhesimin e azilantëve, duke hequr të gjitha kufizimet.

Gjatë vitit 2015, shqiptarët ishin të dytët, pas sirianëve, sa i përket numrit të kërkesave për azil. Autoritetet gjermane kanë njoftuar se vitin e kaluar u regjitruan afro 55 mijë kërkesa për azil nga shtetas shqiptarë.