Gjermania dhe Franca kanë refuzuar thirrjen e OBSH, për të shtyrë dhënien e dozës së tretë përforcuese të vaksinave kundër koronavirusit nga muaji shtator, derisa të vaksinohen më shumë njerëz në botë.

Presidenti francez, Emmanuel Macron me anë të një postimi në Instagram ka deklaruar se Franca është duke punuar për të dhënë dozën e tretë të vaksinës për të moshuarit, pasi ata janë më të rrezikuar.

“Doza e tretë duket se do të jetë e domosdoshme, jo për secilin menjëherë, mirëpo për ata që janë më të cenueshëm dhe më të moshuar”, ka deklaruar se Macron.

Edhe Ministria e Shëndetësisë në Gjermani po ashtu ka deklaruar se synon të japë doza përforcuese për personat më të moshuar dhe ata që jetojnë në shtëpi kujdesi nga muaji shtator.

Kreu i OBSH-së, Tedros Adhanom Ghebreyesus ka bërë thirrje që shtetet perëndimore të mos shpërndajnë dozat përforcuese të paktën deri në shtator, duke thënë se është e papranueshme që shtetet e pasura të kenë më shumë doza vaksinash.

Gjermania ka hedhur poshtë këto akuza, duke deklaruar se do të shpërndajë donacione prej rreth 30 milionë dozave të vaksinave për vendet e varfra. 

Ndërkohë qeveria franceze është duke tentuar të rrisë shkallën e vaksinimit teksa Franca përballet me valë të katërt të pandemisë si dhe protesta në rrugë kundër politikave qeveritare ndaj krizës me koronavirus.