Gjermania ekstradoi të hënën në Belgjikë një boshnjak të kërkuar për lidhje të dyshuara me sulmet terroriste në Paris, më 2015-ën.
Zëdhënësi i prokurorisë në qytetin Naumburg, Klaus Tewes, tha se 39-vjeçari, i dyshuar për sigurimin e armëve për sulmuesit u ekstradua këtë mëngjes.
Autoritetet gjermane njoftuan muajin e kaluar për arrestimin e tij në bazë të një urdhër-arresti europian të lëshuar nga autoritetet belge.
Sulmet në Paris, në nëntor të vitit 2015, lanë të vrarë 130 njerëz. Grupi militant i Shtetit Islamik, i cili kontrollonte territore të mëdha në Siri dhe Irak, e mori përgjegjësinë për sulmet, të cilat dyshohet se u koordinuan nga Brukseli.
Shteti Islamik e mori përgjegjësinë edhe për sulmet vetëvrasëse në Bruksel, në mars të vitit 2016, të cilat lanë 32 njerëz të vrarë. E njëjta qelizë e Brukselit besohet se ka ndihmuar në organizimin dhe kryerjen e sulmeve terroriste në të dyja qytetet.





