Gjermania shpallet kampione Europe për 21-vjeçarët. Në finalen e madhe, kampionët e rinj të kontinentit kaluan me një gol në pjesën e parë Spanjën që përpara kësaj sfide cilësohej favorite.
Gjermanisë i mjaftoi goli i shënuar nga Weiser në minutën e 40-të për të arritur te suksesi i dytë europian në historinë e kësaj skuadre. Një ndeshje përgjithësisht e kontrolluar nga gjermanët që bllokuan një prej ekipeve më të mira të kontinentit dhe favoritët e mbrëmjes.
Trajneri Caledas hodhi në fushë të njëjtin formacion që kaloi Italinë, por gjermanët ishin më agresivë në katërkëndëshin e blertë dhe pjesa e parë ishte pothuajse një monolog i Gjermanisë. Gjatë pjesës së dytë, Spanja reagoi por në krahun tjetër Mayer dhe Gnabri rrezikuan të shënonin golin e dytë.
Momenti më i rrezikshëm ishte ai i minutës së 72-të kur Ceballos iu afrua barazimit. Minutat e mbetura nuk sollën asnjë ndryshim në rezultat dhe Gjermania hakmerret kështu për atë eliminim në çerekfinalet e vitit 2013 pikërisht nga Spanja që mbetet në kuotën e 4 titujve.